Site icon PrishtinaPress

Në gusht pritet të nisin të gjitha fluturimet në korridorin ajror Kosovë-Shqipëri

Airplane landing in the evening with beautiful sunset background

Marrëveshja për korridorin ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ende nuk është duke u zbatuar në tërësi. Ujdia ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Shqipërisë ishte firmosur në vitin 2020.

Por, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu thotë për KosovaPress se zbatimi i marrëveshjes për hapjen e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.

Në anën tjetër nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë kanë thënë për KosovaPress se me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti.

Ministri Aliu ka dhënë më shumë detaje rreth korridorit ajror Kosovë-Shqipëri.

“Sa i përket korridoreve me Republikën e Shqipërisë, korridoret janë të përcaktuara, tash kanë dalë edhe në ueb faqe. Ende nuk janë, nuk i di këto shprehjet teknike që i kanë ekspertët ajror, por duhet që ato të konfirmohen si të tilla, në mënyrë që të bëhen të planifikueshme në fluturimet ndërkombëtare…Në shumicën e fluturimeve ndërkombëtare që bëhen nga Aeroporti i Prishtinës për në aeroporte të tjera e që është rruga më shkurtër nga ato pikat që janë më Republikën e Shqipërisë realizohen. Në kthim një pjesë e tyre realizohen, një pjesë e tyre nuk realizohen për shkak se shpesh janë të paplanifikuara”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu ka deklaruar se ka gatishmëri dhe vullnet edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe me autoritetet e Albcontrollit që të gjitha fluturimet të nisin të realizohen nga muaj gusht 2023.

“Mendoj se në muajin gusht është koha kur ato do të duhej të dilnin në (ueb faqe), ka ekzistuar një afat prej momentit kur është publikuar në ueb faqe dhe është afati kohor kur duhet të zbatohet dhe mendoj që do ta kemi shpejt. Përndryshe vullneti ekziston, edhe me ministren e Transportit në Republikën e Shqipërisë, Belinda Balluku, edhe me autoritetet e Albcontrollit. Pra, gatishmërinë e kanë”, ka thënë Aliu.

Nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në Kosovë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress kanë theksuar se “Letër marrëveshja për korridorin ajror në mes Shqipërisë dhe Kosovës është nënshkruar në vitin 2020 dhe nga viti 2021 ka filluar të zbatohet. Këto korridore kanë filluar të shfrytëzohen nga fundi i vitit 2021 në baza taktike. Me publikimin e pikave ajrore në AIP të Shqipërisë në korrik të vitit 2023, pritet ndërrimi i atributeve të këtyre pikave nga Eurocontrol, respektivisht nga Network Manager që të bëhen edhe flight plannable së shpejti”.

Para katër muajsh, Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen bilaterale për korridorin ajror që mundëson lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Exit mobile version