Site icon PrishtinaPress

Në Graçanicë nga 16-18 shtator Festivali i Arteve dhe Zejeve Mesjetare „SHIELD“

Organizata Turistike e Graçanicës (OTG) përmes një njoftimi për medie bën të ditur se nga data 16 deri më 18 shtator 2016 organizon Festivalin e parë Ndërkombëtar të Arteve dhe Zejeve Mesjetare „SHIELD“.

Festivali, thuhet në njoftim, do të mbahet në stadiumin e futbollit, në kuadër të kompleksit sportiv „Dragan Xhajiq“ (Dragan Džajić) në Graçanicë. Festivali është mbështetur nga USAID-i (Programi Avansojmë Kosovën së Bashku Zgjidhje Vendore) dhe Komuna e Graçanicës.
Manastiri i Graçanicës, për shkak të veçantisë së arkitekturës dhe afreskeve, është një xhevahir i arkitekturës mesjetare serbe dhe nga viti 2006 është regjistruar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Stefan Urosh (Stefan Uroš) II – Mbreti Milutin e ndërtoi manastirin e Graçanicës në vitin 1321 dhe ia përkushtoi Virgjëreshës Maria e bekuar.
Në vitet e fundit, organizimi i turneve mesjetare të kalorësve, të tilla si festivali „SHIELD“, po bëhet gjithnjë e më popullore në botë dhe shënojnë vizitueshmëri të lartë të turistëve. Nevoja e Graçanicës për një brend turistik ka çuar në krijimin e idesë nga OTG-ja për organizimin e Festivalit të parë Ndërkombëtar të Arteve dhe Zejeve Mesjetare „SHIELD“ dhe kështu ta popullarizojë më tej historinë dhe traditën mesjetare të Graçanicës. Në krijimin e idesë dhe organizimin e Festivalit „SHIELD“ është e përfshirë edhe Shoqata për Ruajtjen e Zejeve dhe Arteve Tradicionale „Shqiponjat e Bardha“ („Beli orlovi“) nga Beogradi.
Festivali „SHIELD“ ka karakter ndërkombëtar. Ekipet nga Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Hungaria dhe Serbia kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë festival. Në kuadër të festivalit, ekipet e regjistruara do të marrin pjesë në turneun e shigjetarëve dhe dyluftimeve mes kalorësve në kategori të ndryshme (kategoria e meshkujve dhe femrave, luftimet individuale dhe ekipore). Vizitorët do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të marrin pjesë në disiplinat e mëposhtme: hedhja e gurit nga krahu dhe hedhja e shtizës.
Përveç pjesës konkurruese të festivalit, programi përfshin edhe një numër të ngjarjeve të tjera, siç janë: kalimi i pjesëmarrësve nëpër Graçanicë, punëtoritë interaktive, ekspozita e fotografive, koncertet e muzikës mesjetare dhe programi për fëmijë. Në kuadër të hapësirës ekspozuese, në vendin ku do të mbahet festivali, vizitorët do të kenë mundësi që ta vizitojnë kampin mesjetar të kalorësve, t’i provojnë pajisjet e kalorësve, t’i blejnë suveniret lokale, si dhe ta shijojnë ushqimin tradicional, rakinë e shtëpisë dhe verën.
Të gjithë vizitorët dhe ekspozuesit potencialisht të interesuar mund të marrin informata shtesë përmes faqes sonë www.togracanica.org, përmes e-mailit: togracanica@gmail.com apo përmes faqes zyrtare në facebook të festivalit “SHIELD”: https://www.facebook.com/shieldfestival/.
Po e bashkëngjisim edhe programi i Festivalit SHIELD
E premte, 16.09.2016
16:00 Kalimi i kalorësve nga qendra e Graçanicës deri te Manastiri i Graçanicës
19:00 Hapja solemne e Festivalit SHIELD
E shtunë, 17.09.2016
10:00 Hapja e kampit mesjetar për vizitorët (kampi është i hapur gjatë gjithë ditës)
10:30 Ekspozita e fotografive me temë „Trashëgimia kulturore mesjetare“
11:00 – 19:00 Punëtoritë (farkëtaria, gjuajtja me hark, ekspozita e mburojave, e lekurës – qepja me dorë, qeramika, lojrat shoqërore mesjetare)
11:00 – 12:00 Regjistrimi i vizitorëve për garimet në disiplinat si: hedhja e gurit nga krahu dhe hedhja e shtizës
12:00 Turneu i gjuajtjes me hark
15:00 Turneu i kalorësve (dyluftimet individuale)
16:00 Programi për fëmijë: shkolla e vogël për luftë me shpatë dhe lojrat shoqërore mesjetare
17:00 Garat në hedhjen e shtizës, hedhjen e gurit dhe mundjet
19:00 Turneu i kalorësve (dyluftimet ekipore)
20:00 Koncerti i muzikës mesjetare
E diel, 18.09.2016
10:00 Hapja e kampit mesjetar për vizitorës
12:00 Finalja e turneut në gjuajtjen me hark
13:00 Finalja e turneut të kalorësve
14:00 Mbyllja solemne e Festivalit SHIELD

Exit mobile version