Tottenham pësoi një disfatë zhgënjyese në sfidën e fundit të Premier League teksa Spurs-at u mposhtën në shtëpi me shifrat 2-3 nga Bournemouth.
Ky rezultat e largon Tottenham edhe më shumë nga zona Champions, teksa tifozeria e pranishme ishte tepër e irrituar me performancën e lojtarëve në fushë.
Nervat e tyre nuk mbajtën sidomos në rastin e gabimit të Davinson Sanches në momentin kur Bournemouth kaloi në avantazh 1-2. Vërshëllimat dhe koret kundër Sanchez ishin tepër të forta dhe të qarta teksa trajneri Cristian Stellini e zëvendësoi mbrojtësin në minutën e 58-të, edhe pse e kishte aktivizuar vetëm në minutën e 35-të të pjesës së parë.
Në këtë çast, tifozët festuan sikur u shënua një gol duke e bërë Sanchez të ndjehej shumë keq. Pas sfidës, kapitei Hugo Lloris kritikoi tifozët e tij duke theksuar se në karrierën e tij nuk kishte parë kurrë diçka të tillë.
“Kontestimet ndaj Sanchez nuk nisën vetëm në momentin kur ai gaboi dhe skuadra kundërshtare shënoi. Ato nisën në momentin kur Sanchez u fut në fushë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time. Ndjehem shumë keq për Davinson, ai është pjesë e skuadrës, një shok i ynë dhe prej shumë vitesh lufton për këtë fanellë. Më vjen shumë keq, është një veprim që askush nuk dëshiron ta shoh në futboll”, u shpreh Lloris./PrishtinaPress/