Site icon PrishtinaPress

Në Gjakovë “pasuli hahet kokrra kokrra” – Glauk Konjufca “bëhet horë” ballafaqohet me premtimet e veta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është përballur me një situatë të sikletshme gjatë një takimi në Gjakovë, ku një mësimdhënës e vuri atë para përgjegjësisë për premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, shkruan Gazeta Papirus.

Mësimdhënësi, Musë Gjini, i cili kishte ruajtur dokumentet nga ajo kohë, pretendoi se Konjufca kishte nënshkruar një listë premtimesh për përmirësimin e kushteve në sektorin e arsimit, por sipas tij, asnjë nga këto angazhime nuk është përmbushur deri më sot.

Gjatë diskutimit, mësimdhënësi e sfidoi publikisht Konjufcën, duke ia treguar dokumentin me nënshkrimin e tij dhe duke kërkuar llogari për mosrealizimin e premtimeve. Në një moment tensioni, Konjufca mohoi se ai kishte nënshkruar një dokument të tillë dhe madje e paralajmëroi mësimdhënësin se publikimi i një dokumenti të tillë të falsifikuar mund të konsiderohet vepër penale.

Megjithatë, mësimdhënësi nuk u tërhoq nga pretendimet e tij dhe këmbënguli se nënshkrimi është i vërtetë, duke dhënë argumente të detajuara për ta mbështetur pohimin e tij.

Ai u shpreh i zhgënjyer me mungesën e veprimeve konkrete dhe e akuzoi Konjufcën për mashtrim elektoral, duke thënë se politikanët shpesh japin premtime boshe për të fituar vota, por më pas nuk mbajnë përgjegjësi për to.

Kjo përballje publike ka rikthyer në vëmendje çështjen e premtimeve zgjedhore dhe mbajtjes së tyre, duke vënë theksin në nevojën për më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga ata që drejtojnë vendin. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë reagim të mëtejshëm nga Konjufca apo nga institucionet për këtë çështje.

/ Gazeta Papirus/

VIDEO KËTU

Exit mobile version