0.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Në Gjakovë “lumenjtë janë tërhequr”, FSK ndërhyn te Drini i Bardhë- Gjini e Latifi flasin pas vërshimeve

Gjatë të shtunës ka pasur reshje të mëdha të shiut, të cilat shkaktuan vërshime në komunën e Gjakovës dhe Rahovecit. Madje për shkak të vërshimeve, në fshatin Brekoc të Gjakovës, janë evakuuar nëntë familje.

Përkundër gjendjes së rënduar dje, situata në Gjakovë e Rahovec sot është më e qetë. Për Express detaje kanë dhënë kryetarët e këtyre dy komunave – Ardian Gjini dhe Smajl Latifi.

“Mbrëmë dhe sot nuk ka rënë shi, ka tërheqje të lumenjve”, tha kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

Ndërsa i pari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ka dalë në terren dhe se “gjendja është qetësuar, por dëmet janë të mëdha”.

Gjini e Latifi thonë se ende nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara.

“Ende nuk dihet sa është vlera e dëmit të shkaktuar nga reshjet, jemi duke e vlerësuar dëmin”, tha Gjini.

Ndërsa Latifi tha se “shumë shpejt” do ta kenë një raport të të gjitha dëmve dhe atë do ta dërgojnë në Qeveri, për të kërkuar mbulimin e dëmeve.

“Nuk mund ta dijmë se sa është vlera e dëmit të shkaktuar, prej nesër do të kemi dy komisione për amvisëri, dy për bujqësi dhe dy komisione për ekonominë familjare, biznese dhe infrastrukturë publike. Besoj që shumë shpejtë do të kemi një raport të të gjitha dëmeve dhe atë raport objektiv do ta dërgojmë në Qeveri që të kërkojmë mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Evakuime nuk ka pasur, por ka pasur dëmet të jashtëzakonshme”, tha Latifi.

Gjini e Latifi thonë se nuk ka pasur evakuime të banorëve në këto komuna, përveç nëntë familjeve në Brekoc të Gjakovës që u evakuuan dje.

Kreu i Rahovecit në një prononcim për Gazetën Express tha se sot në këtë komunë do të shkojë një ekip i FSK-së që të bëjë vlerësimin e gjendjes momentale.

“Sot do të kemi një ekip të FSK-së që do ta bëjë vlerësimin e gjendjes momentale dhe analizimin e mundësive që me hi me makineri me i hap disa kanale që lidhen me Drinin e Bardhë, në mënyrë që fytat e ngushtë me i hap në tri drejtime, që me i parandalu vërshimet potenciale”, tha Latifi.

Ai tha se goditjet nga vërshimet janë përqendruar në 15 vendbanime.

“Goditjet nga vërshimet janë përqendruar në diku 15 vendbanime, kryesisht në Fortesë, Dobërdol, Krushë e Madhe, Celinë, Hoqë të Vogël e kështu me radhë”, tha i pari i Rahovecit.

Në Gjakovë dhe Rahovec dje shkoi edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ka dalë t’i vizitojë komunat për të parë gjendjen dhe “për të ju ofruar ndihmën e nevojshme”.

“Reshjet e shumta të shiut shkaktuan dëme si pasojë e vërshimeve në disa Komuna të Kosovës, andaj në koordinim me Kryeministrin z. Kurti dhe ministritë respektive, fillova të vizitoj Komunat për të parë gjendjen dhe për të ju ofruar ndihmën e nevojshme”, ka shkruar ai./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img