Ligji i ri për konfiskimin e pasurisë, pritet që në Kuvend të dërgohet nga Ministria e Drejtësisë në fund të muajit maj. Këtë, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar duke thënë se ligji i miratuar në 2018-ën, është i pamjaftueshëm për të sekuestruar pasuri të kundërligjshme.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në nëntor të 2018-ës, kishin miratuar në lexim të dytë, ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë, të personave të dënuar për vepra penale.
Mirëpo ky ligj asnjëherë nuk kishte pasur zbatim.
“Ekziston për këtë çështje ligji i vitit 2013 por edhe ai i vitit 2018. Por deri më tani me këto ligje asnjë rast për konfiskim pasurie nuk është iniciuar. Nëse i analizojmë në tërësi, implementimi i këtyre ligjeve ka qenë zero”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Arton Demhasaj.
Kështu Ministria e Drejtësisë po planifikon të ndryshoi bazën ligjore, duke bërë një ligj me bazë civile, për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se baza aktuale ka qenë e pamjaftueshme për tu marrë pasurinë atyre që e kanë fituar në mënyrë të kundërligjshme.
“Para syve të institucioneve të drejtësisë, zyrtarët e lartë kanë arritur që të pasurohen brenda një periudhe të shkurtër në mënyrë të pajustifikueshme. Qëllimi ynë është që këtë projektligj ta procedojmë sa më parë në Kuvend dhe i njëjti ka për qëllim që barrën e provës ta vendos te personi i dyshuar. Ta zëmë se një persona ka pasuri në shpërputhje me të ardhurat që ka, atëherë ai është i obliguar që para prokurorit të justifikojë pasurinë e tij. Nëse nuk arrin të bëjë këtë justifikim, pasuria do t’i konfiskohet dhe t’i kthehet shtetit”, deklaroi Albulena Haxhiu.
Ministria tanimë veç ka filluar të përgatisë koncept dokumentin, e që në fund të muajit Maj pritet të shkoi në Kuvend.
“Planifikimet e mia janë që ky Ligj të procedohet në Kuvend në fund të majit për faktin se ne punojmë me rregulloren e punës së qeverisë dhe janë disa afate kohore kur i njëjti projektligj vendoset ne publik për të dhënë komentet. Ligjin do ta bëjmë në bashkëpunim me organizatat vendore dhe ndërkombëtare”, deklaroi më tej Albulena Haxhiu.
Gjithashtu nga Ministria e re u tha se do të ndihmojnë edhe fuqizimin e kapaciteteve të prokurorisë speciale në këtë drejtim.