Site icon PrishtinaPress

Në Ditën e Gruas kërkohet barazi gjinore, Kurti: Përgjegjësia e ndryshimit bie mbi burrat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se gratë përballen me sfida të shumta, ndërsa nuk trajtohen njëjtë me kolegët dhe shokët e tyre, as pas vdekjes.

Në shënimin e Ditës së Gruas nga Agjencia për barazi gjinore, Kurti tha se përgjegjësia e barazisë gjinore bie mbi burrat. Ndërsa aty u propozua që emrat e grave që ndërtuan historinë e vendit t’iu vendosen institucioneve dhe hapësirave publike.

Kurti tha sot se brenda dy vitesh kanë arritur të përmbushin 18 nga 36 caqet e programeve për barazi gjinore, derisa shtoi se gratë duhet të jenë të pranishme afër nxënësve e studentëve edhe si autore.

“As pas vdekjes nuk trajtohen njëjtë me kolegët dhe shokët e tyre… Sikurse në shumë fusha të barazisë, përgjegjësia e ndryshimit të situatës edhe këtu bie tek burrat. Tek e fundit, vetë problemi i pabarazisë është i krijuar nga burrat, pra ata që e kanë e krijuar duhet ta zgjidhin atë. Pa barazi gjinore nuk ka barazi shoqërore e për ta arritur këtë nevojitet së pari emancipimi i burrave për barazi gjinore. Është tejet e rëndësishme që nxënësit dhe studentët t’i kenë autoret gra edhe të pranishme, edhe pranë. Edukimi i brezave të ri, përveç edukim moral për barazi gjinore, duhet të ketë edhe edukim kulturor e estetik”, tha Kurti.

Ai tha se si qeveri do të jenë të përkushtuar për një shoqëri të drejtë e përparuese.

“Jemi të bindur që brenda dy viteve të zbatimit kemi arritur 18 nga 36 të caqeve të programeve për barazi gjinore. Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shtetërore, me përkushtim e veprime konkrete do të jemi bashkë në përpjekjet për një shoqëri që është e drejtë dhe përparuese”, tha ai.

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në këtë takim u tha se ky 8 Mars i dedikohet kujtimit për Nexhmije Pagarushën, Leze Qenën, Sazana Çapriqin, Burbuqe Rushitin, Violeta Rexhepagigjin, Burbuqe Berishën, Vjosa Berishën, Arzana Krajën, alije Vokshin, Edi Shukriun, Esma Mullën, Teuta Tmavën, Ardita Sylejmanin, Seniha Spahin dhe Shahindere Bërlajollin.

E përjetësimi i kujtimit të këtyreNë grave, sipas drejtoreshës së Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia bëhet duke u vendosur emrat e tyre institucioneve, shesheve, festivaleve dhe hapësirave publike.

“Agjencia për barazi gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, këtë shënim 8 Marsi ia dedikon grave krijuese, këngëtare, artiste, aktiviste, profesoresha universitare, gazetare që thyen barrierat në fusha dhe ndërtuan historinë e vendit tonë me fytyrë gruaje… Urojmë që ky takim të na ndihmojë të gjejmë pak kreativitet për të rishikuar historinë e vendit me fytyrë gruaje, duke i bërë këto zonja pjesë të teksteve shkollore, të cilat do të frymëzojnë gjeneratat e reja të vajzave dhe djemve si dhe të përjetësojmë kujtimin e këtyre grave duke i vendosur emrat e tyre institucioneve, shesheve, festivaleve dhe hapësirave publike”, tha ajo.

Për nder të 8 marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Kosovë po organizohen aktivitete të shumta.

Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e Nju ­Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

Exit mobile version