Kryediplomati evropian, Josep Borrell, të hënën, në Bruksel do të udhëheq takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, ku do të marrin pjesë edhe kryediplomatët e vendeve të Ballkanit.
Fillimisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.
Siç njofton faqja zyrtare e BE-së, Këshilli më pas do të shkëmbejë pikëpamjet mbi situatën në Izrael dhe rajon dhe dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike. E pas takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme më 13 nëntor, ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror BE-Ballkani Perëndimor së bashku me gjashtë ministrat e jashtëm nga Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Takimi do të fillojë në orën 17.30 dhe do të drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.