Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë gjatë mbrëmjes së sotme në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, 111 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti fillimisht uroi të gjithë shqiptarët për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024.
Më tej, duke ndërlidhur tre data të rëndësishme për popullin shqiptar, kryeministri Kurti tha se ‘’28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit, e bashkimit dhe e pavarësisë, e shtetit dhe e fitores. 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë në mes të shekullit XV, 28 nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë në fillim të shekullit XX, dhe 28 nëntori i Adem Jasharit në Prekaz në fund të shekullit XX, janë filli historik i thurjes kombëtare të ne shqiptarëve’’.
Ai tha se pikërisht në kulmin e fushatave kriminale të ushtrive serbe që shkuan deri në Durrës dhe Elbasan, patriotët shqiptarë të rrymave dhe krahëve të ndryshëm, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës, ku Shqipëria u shpall e pavarur. Pas një jave do të mbushen plot 111 vite nga ajo ditë kur drejtuesi i atij kuvendi kombëtar, Ismail Qemal Vlora, u bë edhe kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin”, shtoi ai.