Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i kanë dedikuar tri salla të konferencave në ambasadën amerikane për nder të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, nënoficerit të lartë David Gibbs dhe nënoficerit tjetër të lartë, Kevin Reichert.
Në njoftimin e ambasadës së ShBA-së në Kosovë, thuhet se emërtimi i këtyre sallave të konferencave shprehet mirënjohje për kontributin e tri figurave për avancimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik në Kosovë nga Sllobodan Millosheviqi.
“Përkushtimi i thellë i Sekretares Albright ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj të palodhshme ia mundësuan qytetarëve kosovarë të ktheheshin në shtëpitë e tyre, të rindërtonin jetën e tyre dhe të zhvillonin vendin e tyre të lirë, të pavarur, shumetnik dhe demokratik”.
“Nënoficerët e lartë Gibbs dhe Reicher u vranë më 5 maj 1999 ndërsa po mbështetnin fushatën ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja”, thuhet në njoftimin e ambasadës, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë ceremoni, Hovenier tha se ishte i prekur dhe i privilegjuar për të nderuar trashëgiminë e tri figurave, që bashkë me aleatët e ShBA-së kontribuuan për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik.
“Jam i prekur dhe i privilegjuar që jemi mbledhur sot për të nderuar trashëgiminë e tre individëve që së bashku me aleatët tanë, në mënyrë domethënëse i kontribuuan përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund fushatës së spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit në Kosovë 25 vjet më parë”, tha Hovenier.
Ndërsa, e para e shtetit tha se me emërimin e këtyre sallave, ShBA-ja po i rikonfirmon vlerat dhe virtytet e secilit prej tri figurave.
“Duke i dedikuar këto salla të konferencave, Departamenti i Shtetit, ambasadori Hovenier dhe stafi i shkëlqyeshëm në ambasadën e ShBA-së po bëjnë më shumë se vetëm emërimin e një hapësire. Ata po i ri-konfirmojnë vlerat dhe virtytet që secili prej këtyre individëve i mishëronte gjatë shërbimit të tyre ndaj ShBA-së, Kosovës dhe botës”.
“Dhe është më se e drejtë që këto salla të emërohen për nder të sekretares Albright, një kampione e popullit të Kosovës dhe kampione për demokraci, si dhe për nder të nënoficerëve të lartë Gibbs dhe Reichert, të cilët sakrifikuan jetën e tyre gjatë ndërhyrjes së NATO-s për të ndihmuar për të shpëtuar jetën e të tjerëve”, tha Osmani.
Kurse, e veja e nënoficerit të lartë, Gibbs Jean Gibbs, tha se emërtimi i një salle në emrin e ish-bashkëshortit të saj, do të thotë shumë për të dhe familjen e saj, që kujtimi për të jeton akoma.
“Ambasador Hovenier, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj jush dhe ambasada amerikane për dedikimin e një salle të konferencave për nder të David Gibbsit. Do të thotë shumë për mua dhe familjen time që kujtimi i tij jeton. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për presidenten Osmani dhe shtetin e Kosovës për memorialin në kujtim të Davidit dhe Kevinit”.