-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Në 70 vjetorin e lindjes në ITSHKSH kujtohet gazetari dhe publicisti Qani Mehmedi

Me një pjesë nga simfonia IX e Bethovenit – “Oda e gëzimit” (Hymni i Evropës), interpretuar nga pianisti Shkëlzen Baftjari, të enjten në ITSHKSH filloi një akademi përkujtimore për nder të 70 vjetorit të lindjes së doajenit të gazetarisë shqiptare, Qani Mehmedit. Me këtë rast nga Prishtina, Tetova e Kërçova kishin ardhur disa miq e kolegë të Qaniut, të cilët shkëputën fragmente kujtimesh për të, duke veçuar momente më interesante që karakterizuan personalitetin njerëzor, intelektual e kombëtare të tij.

Për ta paraqitur më të plotë figurën e Qani Mehmedit, për të pranishmit u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur nga gazetari Bekim Adili, në të cilin u shpalos një fabulë gjithëpërfshirëse e rrugëtimit jetësor e profesional të këtij doajeni të gazetarisë dhe publicistës shqiptare.
Ndërkaq, “Këngë vëllazërore për Ballkanin – zemrën e Europës”, ishte titulli i një poezie të shkrimtarit dhe diplomatit Jordan Plevnesh dedikuar miqësisë dhe dhembjes për humbjen e parakohshme të Qani Mehmedit, kurse me një dedikim të posaçëm për babain e saj u paraqit e bija e Qani Mehmedit, sopranoja dhe pedagogia, Besiana Mehmedi me këngën “Faleminderit baba”, një interpretim ky sa artistik po aq edhe shpirtëror, që krijoi një impakt emocional tek auditoriuimi.

Drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, pasi u shpreh i nderuar për shënimin e 70 vjetorit të lindjes së një prej korifejve të gazetarisë shqiptare, tha se ky është Qani Mehmedi, emri dhe vepra e të cilit janë të pashkëputur nga zhvillimi ynë i gjithmbarshëm, ku kontributi i tij në fushën e gazetarisë e publicistikës është i patejkalueshëm.
“Me emrin e Qani Mehmedit lidhet një shkollë e tërë gazetarie në Kosovë dhe gjetiu dhe kjo mjafton për ta nderuar figurën e tij dhe për ta radhitur atë në vazhdën e veprimtarëve dhe intelektualëve të shquar që kombit tonë i dhanë shtytje për më shumë dije, më shumë progres dhe më shumë dinjitet…Nëse ndjekim diagramin e formimit dhe zhvillimit të gazetarit dhe publicistit Qani Mehmedit, do të vërejmë se ai ndoqi një trajektore mjaft dinamike me shumë sfida e të papritura që sjell profesioni dhe vet jeta. Nga ajo çka kemi arritur të mësojmë telegrafikisht nga veprimtaria e tij, mund të konkludojmë se një komb që ka në gjiun e vet pena të shquara si Qani Mehmedi e kanë më lehtë të gjejnë rrugët e prosperitetit dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror. Atëherë kur ishte vështirë të përhapej e vërteta për Kosovën dhe luftën saj të drejt për liri e pavarësi, ishte zëri i Qani Mehmedit që jehonte në eter dhe dërgonte në skajet më të largët të globit mesazhin se liria është afër. Ishte ky zë i kurajos dhe qëndresës edhe për luftëtarët tanë në frontet e betejave, për të cilët, përpos municionit dhe ushqimit, jetike ishte edhe fjala që përhapej në media. Ishte kjo fjala që buronte nga pena e guximshme që sot me krenari ia festojmë 70 vjetorin lindjes”, nënvizoi prof.dr. Skender Asani.

Për të nderuar figurën e Qani Mehmedit, në këtë akademi përkujtimore kishte ardhur edhe Faton Ahmeti, sekretar i përgjithshëm i BDI-së, i cili ndër të tjera tha se Qani Mehmedi jetoi dhe veproi në kohëra shumë të vështira, ku çështja shqiptare ishte halë ne sy per armikun, por dëshira për të informuar dhe mobiliziar shqiptarët i tejkalonte gjithmonë këto barriera. Veprimtaria e tij, tha Ahmeti, identifikohet me mençurinë dhe fuqinë e të shkruarit për të informuar drejtë dhe në kohë për situatat delikate në të cilat ndodheshim ne si popull. Përgjatë veprimit të tij, çmimet dhe vlerësimet për punën e tij, gjithmonë kanë qenë simbolike karshi rëndësisë dhe peshës qe ai kishte, vuri në dukje Faton Ahmeti.
Duke folur në cilësinë e një prej miqve të afërt, ishte edhe studiuesi dhe shkrimtari Emin Azemi, i cili pasi shpalosi disa detaje nga opusi i madh publicistik e gazeresk i Qani Mehmedit tha se sot në këtë 70 vjetor të lindjes së Qani Mehmedit, secili prej nesh ruan diçka të shenjtë nga miqësia me të dhe kjo ndoshta është pasuria më e madhe e një njeriu, sepse gjërat materiale shkojnë vijnë, por ajo që mbetet e shtresuar në jetën e njeriut është pikërisht kujtimi për vlerat njerëzore të një miqësie të sinqertë, nënvizoi Azemi.
“Ai sot, si një burrë 70 vjeçar, me një karrierë mbi 40 vjeçare në gazetari, dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të shumtë gazetarësh e redaktorësh në shtypin tonë, sigurisht vazhdon të na frymëzojë pikërisht në një kohë kur transformimi teknologjik i medias ka krijuar një diskurs të ri publik. Rrathët e këtij frymëzimi shkojnë duke u zgjeruar, për aq sa është i gjerë edhe fushëveprimi i tij në mediat shqipe në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri gjetiu…. Gjithkund ku ai punoi, la gjurmë dhe sot gjithkush që provon të shkruaj historinë moderne të gazetarisë shqiptare, e ka të pamundur të shmang emrin e tij nga data baza e kujtesës sonë kulturore.
Çdo traditë i ka shenjat e saja identifikuese, kurse çdo shenjë ka një emër. Qani Mehmedi me gjithë bagazhin e tij profesional, kombëtar e intelektual, na la trashëgim stilin, guximin dhe vizionaritetin në shkrimet e tij gazetareske publicistike. Ai me guximin e mjaftueshëm profesional iu rrek edhe trajtimit shkencor të problematikave politike e kombëtare dhe për rrjedhojë dëshmojnë edhe veprat e tij që na i la si një thesar i çmuar”, u shpreh Emin Azemi.

Prof.dr. Qemal Murati, një mik i ngusht dhe bashkëvendas i Qani Mehmedit, pasi konstatoi se portreti jetësor i tij nuk është lehtë të bëhet a të skicohet, tha se ai ishte njeri me shumë dimensione, me dije komplekse, intelektual e guximtar, që çante vetë në jetë e që u dilte zot edhe të tjerëve. Të gjithë ata që e kanë njohur këtë Njeri me vlera, mjeshtër të fjalës, shërbyes të së vërtetës, sigurisht kanë shumë fjalë kujtimi e nderimi për të, tha prof. Murati.
“Biografia e tij është e pasur dhe bazohet kryesisht në dy shtylla. E para është Atdhedashuria dhe tjetra Publicistika. Por, shtylla eprore tek ky njeri krejt i veçantë ishte – Njeriu! Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në informimin e opinionit të gjerë publik për zhvillimet në Kosovë, Maqedoni, në trojet e tjera dhe në Diasporën shqiptare. Qani Mehmedi shquhej për mendim kritik, solidaritetin me kolegë dhe mbi të gjitha për përkushtimin e tij kombëtar dhe profesional. Qani Mehmedi ishte dëshmi e gjallë e historisë së Kosovës në afro dyzet vitet e fundit. Ai ka botuar studimin “Shtetformimi i Kosovës 1968-2008” (2011) dhe librin “Me gjurmëmëdhenjtë e Kosovës” (2015). Me shkrimet e tij publicistike ka mundur të botonte një duzinë veprash, por ai nuk u dha pas botimit të librave të vet. Më shumë përpiqej të ndihmonte të tjerët t’u botonte vepra dhe t’i promovonte ato. …Qani Mehmedi, njeri me informacion dhe erudicion të gjerë, cilësohet si njohës i mirë i skenës politike dhe i çështjeve ballkanike. Botoi qindra kolumne, editoriale e intervista në gazetat e Prishtinës, Tiranës, Shkupit, Zagrebit dhe Sarajevës. Ai ishte një zë i fuqishëm dhe i pakompromis i gazetarisë shqiptare në interes të informimit të lirë publik dhe në mbrojtje të vlerave nacionale kundrejt pseudovlerave. …Me një natyrë krejt të veçantë, ai kishte miqësi të ngushtë me njerëz të mëdhenj që i çmonte dhe e çmonin. Siç e thoshte edhe vetë shprehimisht: “I kam dashur shumë profesorët e mi të mëdhenj: Rexhep Qosjen, Ali Hadrin, Gazmend Zajmin, Ejup Statovcin, Ukshin Hotin… Më vonë i kam bërë edhe miq. Dijetarë të mëdhenj dhe njerëz të mëdhenj”, nënvizoi prof.dr. Qemal Murati.

Një prej kolegëve e miqëve të pandashëm të Qani Mehmedit në Radio Televizionin Kosovës, ishte edhe gazetari Nuhi Bytyçi , i cili tha se Qani Mehmedi tërë jetën e tij ia kushtoi informimit objektiv, frymëzues mobilizues gjatët gjitha periudhave nëpër të cilat kaloi shoqëri shqiptare.
“Ai me guximin e tij prej intelektuali e gazetari profesionist, përherë ishte i pranishëm në mediat më të lexuara dhe më të shikuara shqiptare. Shkrimet dhe emisionet e tij dalloheshin për nga aktualiteti, përmbajtja dhe mesazhi shumë i qartë, parasëgjithash duke informuar drejtë dhe guximshëm. Në këtë mënyrë, ai, si thoshte shpesh edhe vet, qëndroi vertikalisht dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në afirmimin e fjalës së lirë, por gjithherë në shërbim të afirmimit të çështjes kombëtare”, u shpreh Nuhi Bytyçi.
Për ndikimin që ushtroi Qani Mehmedi në rrjedhat e gjithmbarshme të gazetarisë, foli gazetari Bekim Adili, i cili potencoi se falë peshës së fjalës së tij u qartësuan edhe shumë tema e dilema në shoqërinë shqiptare.
Për të nderuar figurën e Qani Mehmedit, në përvjetorin e 70 të lindjes së tij, drejtori i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani ,ndau një mirënjohje postomrtum për të , duke e vlerësuar kështu simbolikisht kontributin e tij jetësor në gazetarinë dhe publicistikën shqiptare.

/PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img