Site icon PrishtinaPress

Në 21 vjetorin e PDK-së, Veseli: Së shpejti PDK do të rikthehet si fitimtare në garat zgjedhore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në përvjetorin e 21-të të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se subjekti politik që drejton i ka prirë proceseve më të rëndësishme të vendit dhe ka luajtur një rol protagonist në rindërtimin e pasluftës, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin nga e para të institucioneve shtetërore.

Veseli ka shkruar në Facebook se PDK vazhdon të kontribuojë për vendin si parti opozitare shembullore, konstruktive që ngre lartë zërin për interesat e qytetarëve dhe vë para përgjegjësisë e kërkon llogari nga qeveria, në mënyrë që ajo të përmbushë siç duhet detyrat e saj.

Postimi i plotë i Veselit:

“Në këtë përvjetor të 21-të të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë që të uroj përzemërsisht të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj kudo ku ndodhen. Në këtë ditë të shënuar, urime të veçanta i dërgoj themeluesve të partisë, të cilët hodhën hapat e parë të kësaj organizate politike në kushte shumë të vështira. Po ashtu përulem me mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e partisë sonë, por që sot nuk janë më mes nesh. Padyshim nderimet më të mëdha i takojnë qytetarëve të Kosovës, që i kanë besuar partisë sonë dhe që vazhdojnë ta shikojnë atë si garanci të konsolidimit të pavarësisë, të zhvillimit të ekonomisë e demokracisë si dhe të orientimit Euro-Atlantik të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës i ka prirë proceseve më të rëndësishme të vendit dhe ka luajtur një rol protagonist në rindërtimin e pasluftës, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin nga e para të institucioneve shtetërore. Ajo vazhdon të kontribuojë për vendin si parti opozitare shëmbullore konstruktive që ngre lartë zërin për interesat e qytetarëve dhe vë para përgjegjësisë e kërkon llogari nga qeveria, në mënyrë që ajo të përmbushë siç duhet detyrat e saj. Ndërkaq partia jonë vazhdon reformat e saja të brendshme që se shpejti do ta rikthejnë fitimtare në garat e ardhshme zgjedhore.

Në pamundësi për të festuar bashkë për shkak të pandemisë, ju uroj të gjithëve në distancë : Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës!”, ka shkruar Veseli.

Exit mobile version