Site icon PrishtinaPress

Në 20:00 i raporton Kongresit për çështjet Kosovë-Serbi, çfarë paralajmëronte Escobar në Prishtinë?

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar shkon sot në Capitol Hill, prej nga do t’i drejtohet Kongresit Amerikan për t’i informuar për situatën në Ballkanin Perëndimor. Tensionet e vazhdueshme Kosovë-Serbi do të jenë çështja kryesore e raportimit. Ai pritet që ta paraqesë Asociacionin e komunave me shumicë serbe si “një element kyç” të cilin Kosova duhet ta zbatojë. Herën e fundit kur ishte në Prishtinë, Escobar pati thënë se pasi ai t’i raportonte shtetit të tij, do të vendoset se si do të veprojë më tej Washingtoni.

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Europiane dhe Euroaziatike do të raportojë sonte në darkë para Kongresit Amerikan për situatën në Ballkanin Perëndimor.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor pritet që ta ta nisë raportimin në 20:00 me orën tonë lokale. Sipas një dokumenti të publikuar nga gazeta boshnjake, Avaz, Escobar që në fillim do të flasë për zhvillimet e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për angazhimin e tij për zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme ndërmjet dy vendeve.

Escobar pritet t’i theksojë pengesat në politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, ku përveç ngecjes në demokratizim, korrupsionin, varësinë nga energjia ruse, do t’i përmend edhe politikat etnonacionaliste.

“Angazhimi ynë është i fokusuar në zgjidhjen e tensioneve të vazhdueshme që kërcënojnë këtë rrugë dhe një stabilitet më të madh rajonal”, thuhet në dokument.

Escobar do ta njoftojë Kongresin për marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në shkurt dhe mars. Si element kyç në këtë marrëveshje, i dërguari amerikan e konsideron Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Një element kyç është përmbushja e obligimit të Kosovës që nga viti 2013 për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacioni do t’i fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për t’i koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal”, thuhet në dokument.

Escobar do të tregojë edhe se “Kosova dhe Serbia ranë dakord t’i njihnin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës”. Pjesë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje, diplomati amerikan e sheh edhe ndalimin e Serbisë të lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Dhe – e rëndësishmja – sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, thuhet në dokument.

Që kur palët arritën këto marrëveshje, Escobar do të tregojë se “ka pasur provokime serioze, tensione të përshkallëzuara dhe dhunë të papranueshme nga protestuesit serbë kundër KFOR-it, policisë dhe gazetarëve në veri të Kosovës”.

“Si përgjigje, NATO vendosi elementë të forcave rezervë për të përforcuar misionin; ajo mban një qëndrim të zgjeruar në veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt në përputhje me mandatin e saj të OKB-së. Me BE-në, ne kemi bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm, për të përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja komunale dhe për kryetarë komunash në katër komuna në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e serbëve etnikë dhe një rifokus në zbatimin e marrëveshjes së arritur në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në tekstin e përgatitur për Kongresin Amerikan.

“Së bashku me partnerët tanë europianë, ne mbetemi të angazhuar me Kosovën dhe Serbinë, duke u bërë thirrje të dyja palëve të përmbushin detyrimet e tyre, të cilat janë thelbësore për përparimin e vazhdueshëm në të dyja rrugët e tyre europiane”, thuhet tutje në dokument.

Çfarë paralajmëroi Escobar kur ishte në Prishtinë?

Në fillim të qesrshorit ishte hera e fundit që i dërguari amerikan, Gabriel Escobar ishte në Prishtinë së bashku me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Kosova së fundmi u mor vesh me Bashkimin Europian për hapat për shtensionimin e situatës në veri, pas së cilës prania policore atje u zvogëlua menjëherë për 25%.

Por kur Escobar dhe Lajçak ishin në Prishtinë në një mision dyditor në fillim të qershorit, mbetën të pakënaqur pas një takimi mbi dyorësh me kryeministrin Albin Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës nuk kishte lëvizur nga qëndrimi i tij, ndërkohë që emisarët i kërkuan qetësimin e situatës në veri (që nënkuptonte edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, shprehej Escobar në një takim me gazetarë, ku tregonte hapur edhe se kishin “disa sfida në marrëdhëniet me kryeministrin”.

Pak ditë më pas Escobar kishte treguar se ishte ftuar të raportonte në Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje dhe se pritej të vendosej se si do të vepronte më tej Washingoni.

“Jam ftuar që Shtëpisë së Bardhë t’i raportojë për rezultatet e vizitës sonë në Beograd dhe Prishtinë. Në bazë të përparimit apo mungesës së tij do të vendosim për drejtimin e veprimit tonë”, pati thënë Escobar.

Bashkimi Europian i vendosi masa ndëshkuese Kosovën duke e konsideruar Kurtin përgjegjës për tensionimin e situatës në veri, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, pak ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri do të rezultonin me “pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”.

Exit mobile version