Të hënën, në 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës janë paraparë aktivitete të shumta.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për herë të parë do ta vizitojë varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ku do të vendosë kurora lulesh në respekt të tij.
Në këtë 12 vjetor nuk do të ketë parakalim të Ushtrisë së Kosovës nëpër sheshet e kryeqytetit, por që do të mbahet një ceremoni në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kjo është bërë e ditur nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, në një konferencë për media, në të cilën ka prezantuar të gjitha aktivitetet për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Janë mobilizuar bashkë me Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal, që të koordinojnë me të gjitha institucionet tjera relevante përfshirë Policinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës, kryetarët e Komunave të cilët po ashtu kanë aktivitete”, ka thënë ai.
Abazi shtoi se meqë nuk është vit jubilar festimin do ta bëjnë me shumë respekt dhe modesti.