Site icon PrishtinaPress

Ndryshimi i temperaturave, rritet numri i pacientëve në QKMF në Prishtinë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, është rritur numri i qytetarëve që kërkojnë mjekim nga stafi shëndetësor, si pasojë e ndryshimit të temperaturave. Fëmijët deri në moshën pesëvjeçare, personat me probleme kronike si dhe ata në moshë të shtyrë janë më të prekurit nga simptomat, të cilat vijnë si pasojë e ndryshimeve të motit. Simptoma këto, të cilat manifestohen me kokëdhimbje, temperaturë, vjellje dhe diarre.

Nga QKMF-ja thonë se është rritur për 10 apo 20 përqind dhënia e infuzioneve si shkak i rritjes së numrit të pacientëve pas ndryshimit të temperaturave.

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, për Kosovapress tha se ndryshimi i temperaturave ka ndikuar që të ketë rritje të numrit të dhënies së infuzioneve tek pacientët.

“Për shkak të ndryshimit të këtyre temperaturave, ngritjes dhe ules së temperaturave të përnjëhershme, kemi shumëzimin ose ndryshimin e infeksioneve qoftë bakteriale ose virale, me çka u rrit edhe numri i pacientëve, të cilët kërkonin ndihmë shëndetësore. Me këtë u rrit edhe dhënia e infuzioneve, në qendrën tonë, ku QKMF-ja në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Shëndetësisë, kanë shpenzuar një sasi të mjaftueshme të mjeteve pikërisht për shkak të infuzioneve ose terapisë parainterale për rehidrimin e pacientëve… Në këto ditë ku është freskët vërehet që është rritë numri i gastroenteriteve, meqë edhe dhënia e infuzioneve në qendrat tona është rritur për 10 ose 20 përqind”, tha Hashani.

Tutje, Hashani për KosovaPress tha se fluksi i madh i pacientëve përveç verës së vonshme, erdhi edhe si shkak i ardhjes së bashkatdhetarëve.

Tutje, Hashani tregon se kush po pëson më shumë nga ky problem dhe se cilat janë simptomat me të cilat po ballafaqohen pacientët.

Hashani potencoi se ky fluks i madh i pacientëve që kërkojnë mjekim është sfidues për ta, për shkak se një pjesë e stafit është në pushime, duke theksuar se ofrojnë shërbime për mbi 700 mijë qytetarë, që dallon sipas tij prej asaj se çfarë thuhet në regjistrimin UNMIK-ut, që janë rreth 200 mijë banorë.

Kryeshefi i QKMF-së tha se prej javës së ardhshme, pritet që të ketë rritje edhe më të madhe të pacientëve që do të kërkojnë ndihmë nga stafi shëndetësor, sepse sipas tij do të ketë rritje të temperaturave. /KP

Exit mobile version