Në disa drejtori të Policisë së Kosovës, po vazhdojnë ndryshimet dhe emërimet në pozita të ndryshme të disa zyrtarëve e eprorëve brenda këtij institucioni. Ndryshime të tilla kanë ndodhur së fundmi në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren.
Sinjali mëson se është marrë vendim që të degradohet nga pozita e shefit të ndërrimit në Njësinë e Reagimit të Shpejtë. I njëjti tashmë është vendosur në një pozitë tjetër në stacionin policor në Prizren.
Bëhet fjalë për Bujar Sahitaj, i cili nga toger është degraduar në rreshter, pozitë kjo që do të ushtrojë në ekipin patrullues në stacionin policor në Prizren.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin nga Policia Rajonale në Prizren dhe kanë bërë me dije se ky vendim është marrë nga komisioni, teksa nuk kanë bërë të ditura arsyet.
Ndryshe, të njëjtat burime kanë njoftuar se Sahitaj ka qenë disa herë i suspenduar nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Kujtojmë se ai ishte përmendur edhe nga Faik Fazliu, i cili e kishte akuzuar se e ka kërcënuar brenda stacionit policor në rastin kur ishte arrestuar.