Ndizen 68 qirinj dhe lëshohen 68 balona, në nderim të viktimave të aksidenteve rrugore

62
Advertisement

Ministria e Infrastrukturës bashkë me Policinë e Kosovës, Kolegjin “Tempulli” dhe Asociacionin Kosovar të Motorizimit “AMRKS”, kanë bërë mbylljen e Javës botërore për përkujtimin e viktimave në trafikun rrugor, ku edhe kanë lëshuar 68 balona dhe ndezur 68 qirinj për nder të 68 viktimave në trafik.

Advertisement

Drejtori i Këshillit Koordinues për siguri rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, Fejzullah Mustafa ka thënë se përmes këtij aktiviteti kanë përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës që të mos jenë pjesë e statistikave të aksidenteve rrugore.

“Sot po përfundojmë me të gjitha aktivitetet që kemi pasur gjatë gjithë javës, prej ditës së hënë deri më sot. Kjo ka qenë një javë me aktivitete të furishme, sepse kemi menduar se mënyra më e mirë për t’i dhënë mesazh qytetarëve të Republikës së Kosovës është që ata të mos jenë pjesë e statistikave të aksidenteve rrugore. Ne i ndezëm 68 qirinjtë, që ka 68 viktima deri më sot në vitin 2020, dhe i ngritën 68 balona të zi”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se ky duhet të jetë një mesazh për qytetarët e Kosovës që janë në trafik, se duhet t’i respektojnë rregullat, të mos përdorin telefonin mobil, alkool gjatë ngasjes dhe të përdorin rripin e sigurisë.

Ndërsa drejtori i komunikacionit rrugor, nënkolonel Jeton Rexhepi se Policia e Kosovës ka përkrahur këtë aktivitet me të vetmin qëllim që të sensibilizohen pjesëmarrësit për rregullat e trafikut, që numri i aksidenteve të bie, por edhe numri i të vdekurve në aksident.

Ai thotë se këtë vit janë 30 viktima më pak, mirëpo apelon te qytetarët të respektojnë rregullat që ky numër të bie edhe më shumë.

“Policia e Kosovës ka përkrahur të gjitha aktivitetet për shënimin e Ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, që të sensibilizojmë pjesëmarrësit në trafikun rrugor për rregullat e trafikut rrugor, me të vetmin qëllim që të punojmë bashkërisht që numri i aksidenteve të bie, dhe në veçanti numri i personave të vdekur. 68 persona kanë humbur jetën dhe nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, kur kanë qenë 98, do të thotë se kemi 30 më pak, por kërkesa është që të vazhdojmë me respektimin e rregullave”, ka thënë Rexhepi.

Drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamed Krasniqi thotë se mbajtja e këtij aktiviteti është bërë traditë, dhe përmes motos së këtij projekti “Përkujto, mbështet dhe vepro”, të mbështeten familjarët e viktimave, por edhe të rritet siguria në trafik.

“Është hera e gjashtë që Kosova dhe institucionet e shënojnë këtë ditë. Motoja e këtij viti është “Përkujto, mbështete dhe vepro”. Duke i përkujtuar viktimat në trafikun rrugor, ne do t’i mbështesim familjarët e tyre, të cilët kanë humbur të dashurit e tyre dhe duhet të ndërmarrim veprime konkrete, në mënyrë që të ndryshojmë gjendjen dhe të rrisim sigurinë në trafikun rrugor”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, e diela e tretë e muajit nëntor shënon Ditën botërore për përkujtimin e viktimave të trafikut rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve. /Telegrafi/

PostAdssFotoja e reklamës