Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, rikonfirmoi gjatë vizitës së tij në Tiranë, angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri
Ai u takua sot me drejtuesin e Prokurorisë së posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani si dhe me drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj. Sipas një njoftimi zyrtar të ambasadës amerikane, zoti Robinson, “shprehu mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit dhe në rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve, transparencës dhe llogaridhënies”.
Ndihmës Sekretari Robinson pati po ashtu takime dhe me përfaqësuesë të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Akademisë së Sigurisë “për të theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe nxitjes së besimit publik”, raporton Zëri i Amerikës.