Qeveria e Republikës së Kosovës ka nisur planifikimin për organizimin sa më të mirë të Lojërave Mesdhetare.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë zbuluar detaje të investimeve që do t’i bëjë ekzekutivi në garën prestigjioze që do ta organizojë Kosova në vitin 2030.
Sipas Qeverisë së Kosovës, numri total i objekteve sportive, të cilat përfshihen në konceptin fillestar të këtij projekti është 24.
Më saktësisht, 10 objekte sportive do të renovohen duke përfshirë edhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve dhe do të bëhen 4 ndërtime të reja që përfshijnë: Stadiumin Nacional, Kompleksin e pishinave olimpike, Kompleksin e tenisit dhe Poligonin e Shenjtërisë.
Tutje, do të bëhen 5 investime infrastrukturore të përkohshme dhe 5 projekte të tjera të cilat janë në ndërtim apo përfundim e sipër, në mesin e të cilave edhe Stadiumi Adem Jashari në Mitrovicë dhe Stadiumi i Qytetit të Gjilanit.
“Me mobilizimin e të gjithë kabinetit qeveritar dhe në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, i kemi sjellë Republikës së Kosovës mundësinë për organizimin e ngjarjes më të madhe ndërkombëtare në historinë e vendit tonë. Koncepti me të cilin e kemi shënuar këtë fitore është shumë i veçantë dhe në linjë me vizionin e Qeverisë sonë për zhvillimin e sportit në vend. Në partneritet me Shqipërinë, po shënojmë edhe herën e parë që kjo ngjarje të organizohet në një vend që nuk ka dalje në det. Republika e Shqipërisë do të na mundësojë shfrytëzimin e bregdetit të Durrësit për sportin e lundrimit, i cili kërkon qasje në det”, u shpreh sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti.
“Do të mirëpresim mbi 5000 sportistë nga 25 shtetet anëtare të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, duke përfshirë 18 shtete nga Evropa, 2 nga Azia, dhe 5 nga Afrika. Dy shtete, me 11 komuna. Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Ferizaj, Peja, Drenasi, Skenderaj, Podujeva, dhe Durrësi, do të jenë qendrat, në të cilat do të zhvillohen 23 sportet e parapara në programin sportiv të Lojërave Mesdhetare. Përmirësimi dhe ngritja e infrastrukturës sportive fizike, është në qendër të aplikimit dhe fitores së Republikës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Qasja, e cila është ndjekur për sa i përket infrastrukturës fizike, reflekton nevojat e komunitetit sportiv në vend, si dhe kapacitetet reale të vendit tonë për të menaxhuar dhe mirëmbajtur investimet edhe pas vitit 2030”, vazhdoi kreu i Qeverisë.
Kosova e fitoi të drejtën e organizimit e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare në Heraklion të Greqisë, ku i mori 55 vota.