3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Ndërtimi i Rrugës A, Xhaferi ndan detaje për projektin madhor të kryeqytetit

Në Prishtinë sot u përuruan punimet në rrugën A, e njohur ndryshe edhe si rruga “Jim Xhema”, e cila është paralajmëruar se do të lehtësojë trafikun dhe qarkullimin në kryeqytet.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë kryetari i komunës, Përparim Rama, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj, drejtorë komunalë, e shumë banorë të zonës.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe drejtori i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Krenar Xhaferi.

Ky i fundit tha për Indeksonline se është punuar mjaft shumë për këtë projekt, teksa theksoi se i njëjti pritet të lidhë disa lagje të qytetit.

Xhaferi pohoi se projekti është nisur qysh në shkurt të vitit 2022, së pari për segmentin e parë që do të jetë 1.5 metra, e që ka kaluar në fazën e tenderimit dhe procedurat e OSHP-së për më shumë se një vit.

“Jam i lumtur që projekti për 1.5 kilometra është përmbyllur dhe kontraktuar. Katër kilometrat e gjysmë të tjera të rrugës A, sepse rruga është 6 kilometra, janë në fazën e projektimit, dhe po ashtu depërtimi i rrugës A me rrugën e Veternikut është në fazën e vlerësimit të projektimit. Mendoj se është një ndër projektet më të rëndësishme të Prishtinës dhe jemi munduar që në çdo detaj të jemi në harmoni dhe të përditësuar me materialet e reja që janë” tha Xhaferi për Indeksonline.

Ai deklaroi se rruga do të punohet paralelisht në Prishtinën e Re dhe në lagjen Kalabria në këtë fazë të parë.

“Ideja është që 1.2 kilometra do të jetë në pjesën e Veternikut, kah Prishtina e Re, ndërsa nga rruga e Veternikut në drejtim të Kalabrisë është 300 metra, të cilën e kemi nënshkruar si kontratë. Normalisht që nuk ka qenë e vështirë sepse jemi bazuar dhe në plan dhe brenda dy muajsh do ta kemi edhe depërtimin e Veternikut në Rrugën A, e cila e kompleton pjesën e kalimit nga Kalabria në drejtim të Prishtinës së Re” shtoi ai.

Xhaferi pohon për Indeksonline se është planifikuar që faza e parë, 1.5 kilometërshi i parë, të kryhet në brenda 240 ditëve të punës, që i bie se diku në fund të vitit projekti të jetë i kompletuar.

“Në shtator do ta buxhetojmë pjesën e depërtimit të Veternikut me Rrugën A, e që në vitin tjetër do të fillojmë punimet e depërtimit të Rrugës A me rrugën e Veternikut e që është projekt tjetër specifik. Rruga e Veternikut është jashtëzakonisht e ngarkuar dhe është nga projektet tjera sfiduese për Komunën e Prishtinës. Kur të kompletohet kjo, do të vazhdohet pastaj edhe nga vazhdimi i Rrugës B deri te Rruga C. Mendoj që brenda mandatit që e kemi, do ta kemi një Rrugë A orientimisht 3 kilometra dhe depërtimin e Veternikut të përmbyllur si të tillë” deklaroi Xhaferi.

Për projektin më të madh të kryeqyteti në 10 vitet e fundit, ai ka thënë se vullneti dhe dëshira e Komunës është që të gjitha procedurat të përmbyllën sa më shpejt dhe punimet të zhvillohen.

Sipas Xhaferit, është fat i mirë që projekti për segmentin e parë nuk ka vazhduar më gjatë në OSHP dhe është përmbyllur si procedurë, meqë Komuna veçse ka qenë e gatshme qysh vitin e kaluar që të fillojë punimet intensive.

Xhaferi foli edhe për unazën qendrore që gjendet në hyrje të qytetit, për të cilën javën e kaluar është përmbyllur projekti që e bën lidhjen e urës nga Lakrishtja në drejtim të varrezave ortodokse e deri te Arbëria.

“Jemi në diskutim që kontraktori të fillojë punimet për një segment. Segmenti tjetër do të vazhdohet të tenderohet një pjesë të saj, derisa punimet në një pjesë janë duke u zhvilluar” shtoi ai.

Xhaferi bëri të ditur se do vazhdojnë të jenë strikt në punën e kontraktorëve dhe se të njëjtit nëse nuk respektojnë dinamikat e punimeve, do t’u nënshtrohen procedurave të shkëputjeve të kontratave.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img