Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog).
Sipas prokurorisë bastisjet po kryhen me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme.
Për këto veprime në teren janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Pejë gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet opinionit publik me kohë dhe në mënyrë të përshtatshme për rezultatet dhe veprimet e ndërmarra.