Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti, të cilët do mbrohen në liri, raporton KTV.
Këta të tre, së bashku me të akuzuarën Adea Batushën, po akuzohen nga ana e Prokurorisë Speciale për veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga neni 136 paragrafi 1. lidhur më nenin 135 paragrafi 1, nën-paragrafi 1.7., e lidhur më nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kolegji Penal i kësaj gjykate, duke vendosur lidhur me ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë, të hënën më 26.02.2018, vendosi edhe për çështjen e paraburgimit, ndaj të akuzuarve, dhe vlerësoi se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore që ata të qëndrojnë në paraburgim.
Ky aktvendim ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit.
Gjykata brenda afatit ligjor, do të bëjë publike edhe vendimin e saj lidhur më ankesat e palëve kundër aktgjykimit.