12.4 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Ndërmarrja “Hortikultura” e Prishtinës e shkeli ligjin 19 herë vitin e kaluar

Zyra e Kombëtare e Auditimit ka gjetur një varg parregullsish në Ndërmarrën Publike të Komunës së Prishtinës “Hortikultura” në një auditim që i ka bërë kësaj ndërmarrje lidhur me pasqyrat vjetore financiare për vitin 2017.

Mos prezantim i saktë i detyrimeve. Mos pagesa me kohë e detyrimeve ndaj furnitorëve. Vazhdimi i punës pas skadimit të kontratës. Zyrtari i prokurimit pa kontratë të marrëdhënies së punës. Blerje të kundërligjshme, pa procedura tenderuese. Këto janë disa nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë auditivit të financave të Ndërmarrjes “Hortikultura”, shkruan lajmi.net.

Pasi ka audituar financat për vitin e kaluar të “Hortikulturës”,  auditori i ka dhënë Opinion të kundërt Ndërmarrjes. Auditori japë një opinion të kundërt nëse, pasi ka marrë dëshmi auditimi të mjaftueshme dhe të përshtatshme, auditori arrin në përfundimin se keqdeklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare.

Sipas opinionit të Auditorit, për shkak të efekteve të çështjeve të përshkruara në paragrafin për Bazën për Opinion të Kundërt, pasqyrat vjetore financiare për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017 nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK), Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) dhe Ligjet e Kosovës.

Lidhur më të gjeturat gjatë auditivit, Auditori i ka dhenë “Hortikulturës “ 19 rekomandime që ti përmbushë gjatë këtij viti.

Auditori ka gjetur se shuma e fitimeve të mbajtura e prezantuar në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV) për vitin 2017, krahasuar me shumën e prezantuar në PFV-të e vitit 2016 ishte mbivlerësuar për 5,408 euro. Ndërsa, në shënimet kontabël saldo e kësaj llogarie ishte 172,299 euro respektivisht 28,418 euro më pak se sa vlera e prezantuar në PFV. Një mbivlerësim i tillë ishte bërë me qëllim të barazimit të pasqyrës së pozitës financiare.

Është gjetur që Ndërmarrja nuk ka politika të brendshme për menaxhimin e llogarive të arkëtueshme ashtu siç kërkohet sipas nenit 9 të statutit të Ndërmarrjes. Në bazë të kontratës për mirëmbajtje të sipërfaqeve gjelbëruese mes Hortikulturës dhe Komunës se Prishtinës, Autoriteti kontraktues duhet t’i paguaj kontraktuesit shumën e certifikuar nga menaxheri i projektit brenda 30 ditëve nga data e çdo certifikate. Nëse autoriteti kontraktues bënë një pagesë me vonesë, kontraktuesit do t’i paguhet interesi për vonesën në pagesë. Interesi do të llogaritet nga data në të cilën pagesa duhet të ishte bërë, deri në datën kur pagesa është bërë, e rregulluar sipas bankave vendore për kredi në sektorin e ndërtimit. Auditori ka gjetur që Hortikultura nuk ka arritur të inkasoj shumën e mjeteve në vlerë prej 186,057 eurove, prej të cilave 135,244 euro janë obligim i qershorit 2016 dhe 50,813 euro obligim i muajit dhjetor 2017, për të cilat Komuna e Prishtinës i detyrohet ndërmarrjes për shërbimet e ofruara. Po ashtu, Ndërmarrja nuk kishte aplikuar masat ndëshkuese dhe nuk kishte njohur shumën nga interesi me rastin e vonesës së pagesave.

Auditori ka gjetur shkelje që se gjatë vitit 2017 Ndërmarrja u kishte dhënë paradhënie punëtoreve në vlerë prej 1,44 eurove euro, të cilat pritet t’i arkëtoj prej tyre, mirëpo kjo shumë nuk ishte prezantuar e as shpalosur në Pasqyrat Vjetore Financiare -PFV.

Lidhur më këto, Auditori ka shfaqur rrezikun që mungesa e rregullores së brendshme si dhe proceset e dobëta të menaxhimit të llogarive të arkëtueshme, si mos inkasimi i mjeteve dhe mos aplikimi i ndëshkimeve me rastin e mos arkëtimit të mjeteve për periudha të gjata kohore ndikon në uljen e likuiditetit të ndërmarrjes dhe rrit rrezikun e mos prezantimit të saktë të llogarive të arketushme në pasqyrën e pozitës financiare.

Ndërmarrja nuk kishte hartuar rregullore për menaxhimin dhe përdorim të arkës, cila duhet të përshtatet me nevojat dhe kërkesat e ndërmarrjes duke u mbështet në rregullat në fuqi. Kjo ka ndodhur si pasojë e mos vlerësimit të rëndësisë së rregullores për menaxhimin dhe përdorimin e arkës në kohën ku Ndërmarrja kishte BD, ndërsa aktualisht kjo mungon për shkak të mungesës së BD.

Andaj, sipas Auditorit, mungesa e një rregulloreje që përcakton procedurat dhe mënyrën e përdorimit të arkës, rrezikon mos menaxhimin e duhur të arkës.

Shënimet e kontabilitetit duhet të jenë burim i besueshëm në hartimin e pasqyrave financiare. Megjithatë, Auditori ka vërejtur mospërputhje si në vijim: llogaritë e pagueshme të prezantuara në PFV ishin nënvlerësuar për 1,322 euro, ndërsa obligimet rrjedhëse në vlerë 766 euro nuk ishin prezantuar fare në pasqyrat finaciare. Me tej edhe pse në Pasqyrat Vjetore Financiare obligimet për tatime dhe kontribute ishin prezantuar saktë (sikur në dokumentin e ATK-së, “Gjendja e përgjithshme e tatimpaguesit”), në shënimet kontabël këto obligime ekzistojnë në vlerë prej 30,253 euro. Po ashtu, në shënimet kontabël figurojnë obligime ndaj punëtorëve në vlerë prej 8,081 euro. “Mirëpo realisht ndërmarrja gjatë vitit kishte paguar të gjitha obligimet ndaj punëtorëve. Gjithashtu, ekziston një saldo me përshkrimin obligim ndaj sindikatës, mirëpo për shkak të mos regjistrimeve të sakta kjo shumë ishte në anën debitorë në vlerë prej 12,830 euro”.

Është gjetur që Hortikultura e cila menaxhon me hapësirat e gjelbërta në Prishtinë, nuk kishte arritur të përmbush me kohë obligimet ndaj furnitorit në vlerë prej 2,590 eurove. “Për shkak të vonesës në pagesë (tre muaj), furnitori kishte aplikuar procedurën përmbarimore me qëllim të inkasimit të mjeteve. Kjo i ka shkaktuar ndërmarrjes shpenzime shtesë të përmbarimit në vlerë prej 500 eurove. Shpjegimet e menaxhmentit janë se kjo ka ndodhur si rezultat i mungesës së mjeteve financiare”.

Sipas Auditorit, mos pagesa me kohë e obligimeve ndaj furnitorëve mund të sjell ndërmarrjen në pozita të vështira financiare, madje rrit rrezikun që të paguaj ndëshkime dhe interesa për vonesë.

Janë evidentuar edhe dobësi në menaxhimin e të hyrave.

“Në kontratën Kornizë në mes të Komunës së Prishtinës dhe Hortikulturës, për shërbime për mirëmbajtjen e sipërfaqeve gjelbëruese, vlera totale indikative e kontratës ishte 799,999€ devijimi i lejuar plus/minus 30%. Ndërmarrja në muajin korrik, nuk kishte arritur të faturonte për shërbimet e ofruar në vlerë prej 14,531 euro për shkak se vlera e kontratës dhe devijimi i lejuar 30% ishin përmbushur. Kjo ka ndodhur si pasojë e një mos vlerësimi real të vlerës së ofertës për këto shërbime”, thuhet nëraport.

Po ashtu, sipas nenit 9 të statutit të Ndërmarrjes, çështjet e caktuara të cilat nuk janë të përfshira në statut mund të rregullohen me rregullore të brendshme. Aktet e përgjithshme me propozim të KE-së miratohen nga ana e BD. Ndërmarrja nuk kishte nxjerrë ndonjë rregullore, ku do të përcaktoheshin rregullat dhe kushtet për menaxhimin e të hyrave.

Lidhur më këtë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka shfaqur rrezikun që mungesa e një rregulloreje që përcakton procedurat, mënyrën e menaxhimit dhe kontrolleve përfshirë edhe përgjegjësitë e zyrtareve, rrit rrezikun që të hyrat të jenë subjekt i gabimit apo manipulimit. Ndërsa, ofrimi i shërbimeve pa kompensim, ndikon në rezultatin financiar të ndërmarrjes.

“Hortikulturës” i është dhënë vërejtje edhe për vazhdimin e punës pas skadimit të kontratës.

Sipas Ligjit të Punës, kontratat me afate të caktuara, kanë të përcaktuara afatin kohor të marrëdhënies së punës. Gjatë testimeve te Auditorit është vërejtur se kontratat e katër zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes: Kryeshefit Ekzekutive, Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit, Sekretarit Korporativ dhe Auditorit të Brendshëm nga viti 2015 u kishte skaduar kontrata dhe ata vazhdojnë të ushtrojnë punën e tyre. Mos ripërtërija e kontratave të këtyre zyrtarëve ka ndodhur për shkak të mungesës së Bordit të Drejtorëve.

Ndërsa, korniza ligjore përcakton se kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari. Ne kemi vërejtur se Zyrtari i Prokurimit nuk ka kontratë që nga viti 2010, por vetëm një vendim i cili nuk ka afate kohore. Po ashtu në vendim thuhet, se ky vendim është bazë për lidhjen e kontratës, mirëpo akti i themelimit të marrëveshjes kontraktuale nuk ka ndodhur. Kjo për shkak se menaxhmenti i Ndërmarrjes e ka konsideruar të mjaftueshëm vetëm vendimin

Shkelje flagrante janë bërë edhe tek furnizimet, duke mos u respektuar procedurat e prokrujmit publik duke bërë kështu që të rrezikohen fondet publike për blerje të mos përdoren në mënyrë transparente dhe të mos respektohet konkurrenca e tregut.

Ndërmarrjet Publike me rastin e blerjeve të mallrave dhe shërbimeve kanë për obligim që të respektojnë të gjitha procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP). Për furnizime me material higjenik, ndërmarrja nuk kishte zhvilluar procedura të prokurimit mirëpo furnizimet ishin realizuar pa kontratë. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së planifikimit të duhur. Më tej, blerjet e bëra duke mos u mbështetur në kontratë dhe pa proces formal të pranimit nuk japin siguri për ndodhjen dhe saktësinë e shpenzimeve.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img