Pasoja për Kosovën kanë paralajmëruar ndërkombëtarët nëse çohet përpara kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Kërkesën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së për ndryshimin e mandatit të Speciales, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë e ka vlerësuar të rrezikshme për punën e përbashkët BE-Kosovë në sundimin e ligjit.
“Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar Dhomat e Specializuara. Për BE-në, kjo demonstroi përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do të dëmtonte seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët BE-Kosovë për sundimin e ligjit, të bërë gjatë vjetëve të fundit”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Kundër prekjes së Speciales ka dalë edhe Britania e Madhe. Ambasada e këtij shteti në Kosovë ka deklaruar për KOHËN se çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës së Gjykatës do ta dëmtonte Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi koment për të bërë rreth propozimeve të raportuara së fundmi nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Por, çdo tentim për ndryshimin e strukturës së Gjykatës Speciale të Kosovës do të kishte pasoja për kredibilitetin dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Në mbështesim parimin që të mos ketë pandëshkueshmëri për kryerësit e krimeve më të rënda që janë me interes ndërkombëtar. Të gjitha palët duhet t’i persekutojnë kriminelët e luftës, ne e themi të njëjtën në Beograd dhe kudo tjetër”, kanë thënë nga kjo ambasadë.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) e vlerësojnë si të pazbatueshme në praktikë kërkesën që në mandatin e Speciales të futet edhe hetimi ndaj ushtrisë serbe.
Mirëpo, pavarësisht reagimeve kundërshtuese të ndërkombëtarëve, Organizata e Veteranëve thotë se nuk do të tërhiqet nga kërkesa, të cilën edhe e ka dorëzuar në Kuvend.
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, beson se kërkesa e tyre nuk rrezikon marrëdhëniet me BE-në, pasi, sipas tij, është vetëm përpjekje për të siguruar drejtësi për shqiptarët e vrarë gjatë luftës.
Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në vitin 2015.
Dy vjet më vonë, 43 deputetë kishin kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shfuqizimin e këtij ligji, por kjo iniciativë kishte dështuar pas kundërshtimit ndërkombëtar.