0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Ndërkombëtarët e marrin për punë të kryer, e vlerësojnë se si Kurti i gazit lotsjellës e pranoi Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do ta pranonte kurrë se i ndërroi fjalët dhe u pajtua që ta bëjë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por për këtë ai po e merr vlerësime nga ndërkombëtarët. BE-ja dhe SHBA-ja konsiderojnë se ai e ka “gëlltitur” Asociacionin. I dërguari i Gjermanisë tha se paraqet progres fakti që Kurti që hidhte gaz lotsjellës në Kuvend për ta kundërshtuar Asociacionin, tani erdhi në këtë pikë.

Nën presionin e shtuar ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e arritën një marrëveshje më 18 mars në Ohër, sipas propozimit franko-gjerman. Pas kësaj, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’kanë më dyshime nëse do të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Kurti u pajtua që të nisë menjëherë punën për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë dhe sipas të dërguarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kjo do të thotë që ai tashmë e ka “gëlltitur” Asociacionin. Sarrazin pret që ditëve në vijim të shohë veprime për formimin e kësaj bashkësie komunash.

“Përshtypja ime është se kjo, për palën kosovare, tema shumë e vështirë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe tashmë është gëlltitur. Si Gjermania, ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë gjithmonë të qartë për faktin se presim që Kosova ta përmbushë këtë dhe përshtypja ime është se kjo tani është pranuar edhe në Prishtinë. Mund ta kem gabim, por kjo është përshtypja nga takimet e mia në Prishtinë – se ata kanë bërë një hap përpara. Dhe ne presim që ata ta tregojnë atë në terren në ditët dhe javët në vijim”, tha Sarrazin të mërkurën në një intervistë për KoSSev.

Këtë përshtypje Sarrazin e krijoi pas një takimi me Kurtin në fillim të kësaj jave në Kosovë dhe këto fjalë i tha pak para se të nisej për në Beograd. Ata u takuan të hënën në rezidencën e ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ku Kurti ishte ftuar në një “darkë pune”.

Për kuptimin e termit “vetëmenaxhim për serbët”, ai ka refuzuar të flasë hollësisht, duke thënë se “nuk do të mund t’i përgjigjem në një mënyrë që të gjithë ta kuptojnë”. S’deshi të japë komente as për “shkallën e saktë të pushtetit” që duhet ta ketë Asociacioni.

Për arritjen e marrëveshjes së Ohrit që besohet se do ta sjellë Asociacionin, Sarrazin pranoi se Gjermania ushtroi “shumë presion” te të dyja palët. Ai e vlerësoi Kurtin që erdhi në këtë pikë, duke qenë se dikur vetë kishte hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për ta kundërshtuar.

“Mendoj se paraqet njëfarë progresi që nga hedhja e gazit lotsjellës kundër ndonjë Asociacioni erdhi deri te ‘nuk do të pajtohem me atë që është vizioni i Serbisë’. Pra, le të përpiqemi të marrim diçka atje”, tha ai.

Kryenegociatorët e dy shteteve të martën e patën një takim në Bruksel, ku zbatimi ishte temë kryesore. Besnik Bislimi pas takimit paralajmëroi prezantimin e një drafti për Asociacionin. Petkoviq, ndërkaq, tha se këtë herë kishin bërë hapa më konkret për këtë çështje.

Në nenin 7 të marrëveshjes thuhet se të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”.

Ndërsa aneksi i zbatimit parasheh që “Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për krijimin e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut të përcaktuara nga ndërmjetësi i BE-së”, thuhet në pikën e pestë të Aneksit të Zbatimit”.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas arritjes së kësaj marrëveshjeje ka thënë se kjo nënkupton gjithsesi formimin e Asociacionit.

“Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Lajçak më 21 mars në një intervistë pë Radion Evropa e Lirë.

Ai e kishte thënë qartë se Asociacioni “duhet të krijohet dhe do të krijohet”.

BE-ja ka theksuar se dokumenti “është i detyrueshëm” dhe “është zyrtar”, ani pse nuk është i nënshkruar.

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është i bindur se Asociacioni “do të bëhet realitet”. Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë më 20 mars tha se zbatimi i marrëveshjes duhet të fillojë menjëherë dhe se Kosova duhet ta japë një version për themelimin e Asociacionit.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img