1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Nderimi i viktimave shqiptare nga liderët serbë, prapa dyerve të mbyllura

Ende nuk dihet nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të pranojë thirrjen e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), për të nderuar më shumë se 700 viktima shqiptare në Batajnicë afër Beogradit, ku 19 vjet më parë janë gjetur mbetjet e tyre në një varreze masive.

Fondi ia drejtoi këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq, pas publikimit të informacioneve se ai, së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, më 3 tetor në Beograd në një takim të mbyllur, me një minutë heshtje i nderoi viktimat shqiptare, të cilat ishin të varrosura në varrezën masive në Batajnicë.

Ky ishte një takim me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për BE-në, një grup i organizatave joqeveritare që monitoron procesin e pranimit të Serbisë, i cili u mbajt nën rregullat e “Chatham House”, që do të thotë se pjesëmarrësit mund të zbulojnë informacione, të cilat i kanë marrë, por nuk duhet ta zbulojnë identitetin e folësit.

Por, Ivana Zhaniq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse dikush dëshiron t’i nderojë viktimat, atë nuk duhet ta bëjë në një takim të mbyllur me një rreth të ngushtë të njerëzve.

“Sjellje e përgjegjshme e dikujt që është në krye të një vendi që pretendon të jetë i përkushtuar ndaj vlerave evropiane dhe është rrugës për në Bashkimin Evropian, është që të shkojë te vendi i varrezës masive. Aty duhet të vendosë lule dhe t’i nderojë viktimat me një minutë heshtje, ku do të jenë të pranishëm zyrtarë të tjerë të qeverisë, media dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Çdo shprehje e dhimbjes pas dyerve të mbyllura, për mua është një akt shtesë i vetë-promovimit dhe jo sinqeritetit të kësaj qeverie“, tha Zhaniq.

Në vitin 2001, 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës që u vranë nga forcat serbe, u zhvarrosën në Batajnicë, rreth njëzet kilometra nga qendra e Beogradit.

Mbetjet e tyre ishin transportuar nga Kosova në poligonin e njësisë Speciale Antiterroriste në Batajnicë më 1999 dhe ishin varrosur në një varrezë masive. Bëhet fjalë për njërën nga varrezat masive më të mëdha të gjetura në ish-Jugosllavi.

Nderimi i viktimave, pa drejtësi, nuk shëron plagët e luftës

Lush Krasniqi nga fshati Ramoc i Gjakovës, e kishte kryer shërbimin ushtarak në Batajnicë të Serbisë më 1988.

Trembëdhjetë vjet më vonë, në këtë vend, i kishte gjetur eshtrat e dy vëllezërve të tij dhe axhës, që u vranë në masakrën e Mejës në prill të vitit 1999. Pas vrasjes, ata fillimisht ishin varrosur në Korenicë, e pas dy muajsh ishin dërguar në varrezën masive të Batajnicës. Në masakrën e Mejës, ndërmjet 27 dhe 28 prillit ishin vrarë 377 civilë shqiptarë, shumica e të cilëve u gjetën në varrezën masive të Batajnicës.

Për Krasniqin, nderimi i viktimave nga presidenti serb në vendin e varrezës masive – nëse do të ndodhte një veprim i tillë – nuk do t’i shëronte plagët e luftës, pa pasur drejtësi për viktimat.

“E dimë iniciativat që i kanë ndërmarrë organizatat e shoqërisë civile në Serbi, ato i përshëndesim. Por, unë pres që presidenti serb të ndryshojë me vepra dhe jo të bëjë vetëm fushatë, sidomos në këtë kohë, kur janë edhe bisedimet me Kosovën dhe SHBA-në. Unë mendoj se Vuçiqi nuk ka treguar deri më tash gatishmëri që të bisedojmë sinqerisht dhe të kemi pajtim të sinqertë, kështu që nuk e konsideroj si një hap që do të ndikonte te familjet që kanë të zhdukur”, shprehet Krasniqi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img