Site icon PrishtinaPress

Ndarja e banesave ia bën aktakuzën Sokol Bashotës

Sokol Bashota, kryetar i Komunës së Klinës është kryetari i radhës nga Partia Demokratike e Kosovës që po përballet me aktakuzë për keqpërdorim te detyrës zyrtare.
Një hetim i filluar me 24 shkurt të vitit 2014 nga një prokuror i EULEX-it, javën e kaluar u formatizua me ngritjen e një aktakuze, që kryetarin Bashota, dy zyrtarë të Komunës së Klinës  dhe një asamblist, i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ky rast në vete përmban edhe një karakteristikë interesante, përpos kryetarit Bashota që është nga radhët e PDK-së, i akuzuari në cilësinë e asamblistit, Fadil Gashi është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, ndërsa aktakuza mbështetet në një “marrëveshje politike”.
Prokuroria Speciale, përpos Bashotës dhe Gashit, për keqpërdorim të detyrës zyrtare i ngarkon edhe Enver Berishën, zëvendës kryetar i Komunës së Klinës si dhe Esat Raci, tani Drejtor i Drejtorisë së Administratës,  i akuzuar për kohën sa ishte Drejtor i Drejtorisë të Shërbimeve Publike në Komunën e Klinës.
Sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it, të cilën KALLXO.com e ka parë, të akuzuarit në cilësitë e lartpërmendura, kanë bërë një marrëveshje të “ashtuquajtur politike” si përfaqësues të partive politike në Komunën e Klinës (PDK, LDK, AAK, LDD) lidhur me shpërndarjen e banesave në këtë proces.
Sipas aktakuzës, në bazë “marrëveshjes politike” kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tyre zyrtare si figura politike në procesin e vendimmarrjes në Komunën e Klinës për efektin se të pandehurit në mënyrë të jashtëligjshme kanë anashkaluar aplikantët gjendja ekonomike e të cilëve ishte më e keqe dhe kanë shpërblyer veten dhe shokët e tyre partiakë dhe bashkëpunëtorët me dhjetë banesa.
Sipas prokurorisë të akuzuarit në bashkëkryerje këtë e kanë bërë duke fshehur faktet përkatëse të gjendjes së tyre financiare, duke ndërhyrë në punën e komisionit i cili ishte në krye të vlerësimit të aplikantëve në këtë proces.
Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorit të EULEX-it, të akuzuarit në janar 2010 kanë nënshkruar kontratat  mujore të qirasë së banesave në vlerë prej 20 euro, ndërsa sipas prokurorisë, mesatarja e qirasë për një apartament të madhësisë ekuivalente në vitin 2009 në Klinë ishte rreth 200 euro.
Kryetari Bashota, përpos keqpërdorimit akuzohet edhe në një pikë tjetër të akuzës. Bashota akuzohet për mos-raportim ose raportim të rremë të pasurisë ose të ardhurave.
Sipas aktakuzës, Bashota nga 29 janari 2009 deri më 24 qershor 2016 si kryetar i Klinës ka qenë i obliguar të deklarojë pasurinë personale dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, të ardhurat dhe origjinën e pronës e në Agjensionin Kundër Korrupsion deri në fund të datës 31 mars.
Prokurori pretendon se Bashota ka falsifikuar me qëllim ose nuk i ka përfshirë informacionet kur ka paraqitur deklaratën e tij.
Sipas prokurorisë, Bashota nuk e ka deklaruar banesën në sipërfaqe prej 79 metra katrorë e cila gjendet në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, të cilën i pandehuri e kishte shitur për 66 mijë euro më 4 qershor 2015.
Bashota nga prokuroria akuzohet edhe për mos-deklarim për vitet 2013-2014 dhe 2015 të një veture BMW të blerë më 5 tetor 2012 për 65 mijë euro, dhe të shitur më 25 maj 2015 për 30 mijë euro.
Për të gjitha këto pretendim të prokurorit, KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kryetarin Bashota por e ka pasur të pamundur përmes telefonit, ndërsa avokati i tij, Haxhi Millaku në një prononcim për KALLXO.com e quajti aktakuzën, si  të pambështetur, të jashtëligjshme dhe si një përpjekje të grupeve nga brenda dhe jashtë, për të eliminuar nga skena një njeri të luftës dhe paqes.

Exit mobile version