Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është ndaluar për 48 orë një zyrtar i kadastrit “i një komune” por nuk kanë theksuar se për cilën komunë bëhet fjalë.
Në njoftimin e PK-së thuhet se zyrtari dyshohet për ndërhyrje në në sistem për të ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele toke.
“Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka pranuar informata lidhur me rastin se person/a zyrtar nga zyra kadastrale e një Komune kanë ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.” – bën të ditur policia.
Njoftimi i plotë:
Dyshohet për ndërhyrje në sistem për të ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele toke, me urdhër të prokurorisë ndalohet për 48 orë një zyrtar i kadastrit të një komune
Prishtinë, më 28.05.2024
Policia e Kosovës, Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka pranuar informata lidhur me rastin se person/a zyrtar nga zyra kadastrale e një Komune kanë ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.
Ketë veprim i njëjti dyshohet se e kryen përkundër faktit që kjo parcelë tokësore kishte masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata themelore e Prishtinës, dhe me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së.
Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me ketë lëndë janë zbatuar bazuar në autorizimin e Prokurorisë themelore në Prishtinë.
Më datë 28.05.2024, i dyshuari është ftuar për intervistim i cili në prezencë të avokatit të tij mbrojtës është mbrojtur në heshtje.
Pas përfundimit të proceduarve të intervistimit ndaj të dyshuarit Prokuroria themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme.