Site icon PrishtinaPress

Ndalohen tre persona të dyshuar për garën e veturave që përfundoi me fatalitet në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se janë ndaluar tre persona të dyshuar për garën e veturave që përfundoi me fatalitet në orët e hershme të 25 janarit në fshatin Miresh të Gjilanit, ku për pasojë vdiq një 28-vjeçar.

Ata dyshohen se ikën nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmë personave të aksidentuar.

Policia të enjten njoftoi për vdekjen e 28-vjeçarit “në një vetaksident”, teksa një person tjetër kishte mbetur i lënduar.

Prokuroria ka njoftuar se ka ndaluar tre të dyshuar për rastin. Sipas tyre, F.A. dhe B.A. janë ndaluar pasi dyshohen për veprat penale “Rrezik i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme’’ dhe ‘’Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik’’, dhe L.M., për shkak të veprës penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit F.A. dhe B.A, më 25 Janar 2024, rreth orës 00:50 minuta, me automjetet e tyre, së bashku me tani të ndjerin L.R., gjatë drejtimit të automjeteve kanë zhvilluar gara, të cilat janë të ndaluara me ligj, që nga dalja e Gjilanit deri në hyrje të fshatit Dobërçan, ku edhe i ndjeri L.R., ka pësuar vetaksident dhe ka humbur jetën. Po ashtu, dyshohet se pas vetaksidentit, të dyshuarit – vozitësit F.A. dhe B.A., si dhe i dyshuari – pasagjeri L.M., , nuk i kanë dhënë ndihmë tani të ndjerit L.R., duke u larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Exit mobile version