Site icon PrishtinaPress

Ndalimi i vizitave te Thaçi, Veseli e Selimi, Specialja thotë se ishte përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët

Gjykata Speciale ka sqaruar vendimin për të kufizuar dhe ndaluar vizitat te Thaçi, Veseli e Selimi që po mbahen në qendrat e paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi një sërë masash që kufizojnë kontaktet dhe komunikimet e tre prej të akuzuarve në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara – Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Trupi Gjykues ka miratuar disa prej atyre masave.

Specialja thotë se ky vendim erdhi si pasojë e përpjekjeve për ndërhyrje të dëshmitarët.

“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët”.

Gjykata Speciale më tej thotë se të akuzuarit shpërndanë informacione konfidenciale.

“Hetimet e ZPS-së lidhur me pengimin e drejtësisë tregojnë se tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara tek ata për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës Speciale

Exit mobile version