Site icon PrishtinaPress

Ndalimi i Këshilltares së Kurtit, ZKM: Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të shqiptarëve të Luginës

Qeveria e Kosovës kërkon që Serbia të ndalojë diskriminimin me bazë etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.

Këtë koment, Qeveria e Kosovës e ka lëshuar pas ndalimit të Këshilltares së Kryeministrit, Ardita Sinani në një nga pikat kufitare Kosovë – Serbi.

“Ndalimi i Këshilltares së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani në vendkalimin kufitar Muçibabë nga policia kufitare e Serbisë është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

Tutje Zyra e Kryeministrit njofton se Sinani është ndaluar dhe mbajtur për gati një orë sot në pikën kufitare “pa i dhënë arsye për ndalesën e saj e që për qëllim ka frikësimin dhe maltretimin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare”.

“Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”.

Në fund të komunikatës, ZKM-ja kujton raportin ku është theksuar se Serbia kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Kujtojmë që Komiteti i Helsinkut në raportin e tyre ka theksuar që Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Për të reduktuar sa më shumë numrin e shqiptarëve që jetojnë në jug, shteti po bën të ashtuquajturin “pasivizimin e adresave të banimit që u përkasin shqiptarëve” që punojnë jashtë vendit, qoftë në Evropën Perëndimore apo në Kosovë. Masa është në thelb një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative’”

Exit mobile version