Nxënësit fitues të garave në nivel vendi dhe atyre në nivel ndërkombëtar u bashkuan sot në një ceremoni kremtimi nën praninë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët i ndanë fituesve mirënjohje e shpërblime simbolike.
Duke vlerësuar të arriturat e të rinjve tanë, kreu i qeverisë tha se këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës.
“Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin, dhe imagjinatën, dhe kreativitetin tuaj”, u shpreh ai.