Site icon PrishtinaPress

NATO përgatitet për stërvitjen më të madhe ushtarake në disa dekada

NATO javën e ardhshme do të fillojë një nga stërvitjet e saj më të mëdha ushtarake në disa dekada, e cila ka për qëllim të tregojë se aleanca perëndimore është e gatshme të mbrojë territorin e saj në kufirin me Rusinë, tha një zyrtar i saj në Bruksel. Në stërvitjen, që do të zgjasë disa muaj, do të angazhohet një personel ushtarak prej 90 mijë trupash.

Stërvitja vjen në një kohë kur në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës asnjëra palë nuk po përparon. NATO nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë konflikt, megjithëse shumë vende anëtare kanë dërguar armë në Ukrainë dhe kanë stërvitur forcat e saj ushtarake.

Disa muaj para se Presidenti Vladimir Putin të urdhëronte trupat e tij të sulmonin Ukrainën në shkurt të vitit 2022, NATO filloi të shtonte praninë e saj me trupa dhe pajisje në krahun e saj lindor, që kufizohet me Rusinë dhe Ukrainën. Ky ishte përforcimi më i madh ushtarak i aleancës perëndimore që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Manovrat ushtarake kanë për qëllim të frenojnë Moskën nga vënia në shënjestër e vendeve anëtarë të NATO-s, që kufizohen me Rusinë.

Stërvitja “Steadfast Defender 24” “do të dëshmojë se NATO mund të kryejë operacione të ndërlikuara në shumë fusha dhe në çdo kohë për disa muaj në një hapësirë prej mijëra kilometrash, nga pjesa më e largët veriore e Evropës deri në atë qendrore dhe lindore”, tha një zyrtar i aleancës me 31 vende anëtare.

Trupat do të dislokohen në Evropë deri në fund muajit maj, në kuadër të asaj që NATO e quan “simulim i skenarëve emergjent të konfliktit me një armik të afërt”. Sipas planit të ri të NATO-s për mbrojtjen, armiqtë e saj kryesorë janë Rusia dhe organizatat terroriste.

“Aleanca do të tregojë aftësitë e saj në përforcimin e zonës Euro-Atlantike përmes lëvizjes transatlantike të forcave të saj nga Amerika e Veriut”, tha për gazetarët komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan Christopher Cavoli.

Gjeneral Cavoli tha se stërvitja do të tregojë “unitetin, forcën dhe vendosmërinë tonë për të mbrojtur njëri-tjetrin”.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer tha se kjo do të tregojë se “ne mund të sjellim një numër rekord trupash dhe të zhvillojmë një stërvitje brenda një territori të madh, në të gjithë aleancën dhe oqeanin (Atlantik) nga Shtetet e Bashkuara në Evropë.”

Admirali Bauer tha se ky është “një ndryshim i madh” krahasuar me numrin e trupave në stërvitjet e vitit të kaluar.

Sekretari britanik i mbrojtjes Grant Shapps tha se, në kuadër të stërvitjes së NATO-s, Britania do të angazhojë 20 mijë trupa, avionë luftarakë, luftanije dhe nëndetëse, një pjesë e të cilave do të dislokohen në Evropën Lindore nga muaji shkurt deri në qershor./VOA/

 

Exit mobile version