Përveç autoriteteve vendore, krerët e shtetit thonë se hetime lidhur me sulmin terrorist në Banjskë po zhvillojnë edhe partnerët ndërkombëtarë. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë sot se NATO dhe EULEX do të dalin me raporte përfundimtare për atë se çka ndodhi më 24 shtator.
Në një përgjigje për Express, NATO ka thënë se hetimin zyrtar për këtë rast po e kryen Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë, derisa nga BE s’janë përgjigjur. Ndërkohë, Gjermania, për të cilën Konjufca tha se po kryen hetim, e ka mohuar dje.
As një muaj pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, nuk dihet qartë se kush po e heton këtë rast, përveç Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirsollav Lajçak, ka deklaruar të shtunën se “BE-ja, NATO, janë shumë të zënë duke u marrë me faktet”, kur është pyetur nëse ka hetim ndërkombëtar për këtë rast. Deklarata e Lajçak la të nënkuptohej se po zhvillohen hetime nga Bashkimi Evropian dhe NATO.
Por, një zyrtar i NATO’s i ka thënë dje Gazetës Express se hetimi zyrtar lidhur me sulmin në Banjskë, po kryhet nga Policia e Kosovës.
“Hetimin zyrtar për ngjarjet e përmendura po e kryen Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë. Kështu që ju referoj tek ata për çdo koment të mëtejshëm”, ka deklaruar ky zyrtar i NATO’s.
Nga Bashkimi Evropian s’janë përgjigjur nëse po bëjnë hetim për atë çka ndodhi në Banjskë.
Policia e Kosovës thotë se rasti po trajtohet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe se në këtë fazë s’mund të jepen detaje.
“Referuar ngjarjes në Banjskë të datës 24 shtator, Policia e Kosovës përmes komunikatave zyrtare te PK-së, përmes komunikatave të përbashkëta me PSRK-në, konferencave për shtyp ku janë ekspozuar dëshmitë e konfiskuara si dhe deklarimeve nga kompetentet në DRP-Mitrovicë Veri, i ka bërë publike informacionet zyrtare te cilave mund t’i referoheni. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit) dhe në këtë fazë nuk mund të jepen më shumë të dhëna lidhur me ecurinë e rastit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Express.
Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, të shtunën, u tha se rastin po e hetojnë edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Deklarata e Presidencës është mbështetur sot edhe nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në një deklaratë për T7, Konjufca ka thënë sot se secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre, derisa tha se NATO dhe EULEX do të dalin me raporte përfundimtare.
“Ende hetimet nuk kanë përfunduar. Secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre edhe nacionale. Pra, Republika e Kosovës do ta ketë një hetim përfundimtar, NATO-ja do të dalë me një raport përfundimtar, EULEX-i, misioni i Bashkimit Europian del me raportin e vetë të pavarur, shtetet nacionale, secili është duke i bërë hetimet e veta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania me institucionet e tyre që i kanë në Kosovë, secili edhe në baza nacionale është duke i bërë hetimet e veta”, tha kryeparlamentari.
Duke përmendur shtetet që po e hetojnë sulmin në Banjskë, Konjufca e përmendi edhe Gjermaninë.
Por, nga Qeveria e Gjermanisë kanë deklaruar dje se nuk janë të angazhuar lidhur me këtë çështje.
“Nuk ka asnjë hetim që është duke u zhvilluar nga ana jonë”, ka theksuar një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Express.
Për sulmin terrorist në Bansjkë, Kosova e ka fajësuar Serbinë dhe ka kërkuar që të vihen sanksione ndaj saj, për të vazhduar me dialogun.
“S’ka arsye për t’u takuar pa u miratuar sanksione ndaj Vuçiqit. Sanksionet fillimisht, pastaj flasim për të tjerat“, ka deklaruar Presidentja Vjosa Osmani, para gati dy javësh,
Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun mes dy shteteve, ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve, para se të vendoset për hapat e radhës.
Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka kërkuar nga Serbia që të bashkëpunojë pa kushte, për të zbuluar se çfarë ndodhi atë mëngjes në Banjskë.
“Por nuk do të hyj në detajet e hetimit, sa persona janë të dyshuar e kështu me radhë. Dua të përsëris mesazhin e qartë të BE-së – nevojitet bashkëpunim i plotë dhe i pakushtëzuar, jo vetëm nga Serbia, por nga të gjithë ata që mund të kontribuojnë në hetim, në mënyrë që të kemi një pasqyrë të qartë të gjithçkaje, çfarë ndodhi, pse ndodhi, kush mori pjesë në të, kush organizoi. Në bazë të kësaj, BE-ja do të vendosë se çfarë të bëjë kur është fjala për qasjen tonë ndaj Kosovës, Serbisë, dialogut dhe rajonit”, ka theksuar dje Stano, në një konferencë për media.
Disa ditë pas sulmit, “The Guardian” raportoi se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hetojnë përfshirjen e Beogradit në sulmin terrorist ndaj Policisë. Sipas raportimit, nëse zbulohej përfshirja e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kjo do të mund të çonte në sanksione ndaj Serbisë.
Ambasadori i SHBA’së Jeff Hovenier në një intervistë për Bloomberg ka thënë se analistët dhe ekspertët amerikanë janë duke i nxjerrur përfundimet e tyre për atë që ndodhi më 24 shtator. Ai komentoi edhe rreth pasojave eventuale për Serbinë dhe kërkesën e Kosovës që ajo të sanksionohet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Sa i përket pasojave për Serbinë, mund të them vetëm këtë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kërkesat e Republikës së Kosovës. Siç e thamë, këto janë çështje serioze, dhe çështja se çfarë ndodhi më 24 shtator, analistët tanë dhe ekspertët tanë po nxjerrin përfundimet e tyre, por ne ndoshta kemi standarde pak më të ndryshme nga ato që ka qeveria e Kosovës për marrjen e vendimeve përfundimtare për atribuimin ose përgjegjësinë.”
Sa mund të zgjasin hetimet?
Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.
Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”