Site icon PrishtinaPress

NATO nis stërvitjet “Air Defender 23”

NATO ka nisur stërvitjen më të madhe ajrore ndonjëherë në Evropë më 12 qershor, për të shfaqur unitetin drejt partnerëve dhe ndaj kërcënimeve të mundshme, sikurse Rusia.

Në stërvitjet “Air Defender 23”, që udhëhiqen nga Gjermania, do të përfshihen rreth 250 avionë luftarakë nga 25 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere, përfshirë Japoninë dhe Suedinë. Stërvitjet do të zgjasin deri më 23 qershor.

Deri në 10.000 ushtarë marrin pjesë në stërvitjet që kanë për synim të rrisin ndërveprimin dhe gatishmërinë për t’u mbrojtur ndaj sulmeve me dronë dhe raketa, në rast të ndonjë sulmi brenda territorit të NATO-s.

“Mesazhi i rëndësishëm që po dërgojnë është se ne mund të mbrojmë veten”, tha gjenerallejtënant, Ingo Gerhartz.

Stërvitjet “Air Defender” u krijuan më 2018 si pjesë e përgjigjes ndaj aneksimit të Rusisë të gadishullit ukrainas të Krimesë, edhe pse Gerhartz insistoi se ky më nuk është synimi.

Ai tha se stërvitjet “nuk do të dërgojnë, për shembull, asnjë avion në drejtim të Kaliningradit”, një enklavë ruse që gjendet në kufi me shtetet anëtare të aleancës, Poloninë dhe Lituaninë.

“Ne jemi aleancë mbrojtëse dhe kështu janë planifikuar këto stërvitje”, tha ai.

Në shtunën, qindra protestues u mblodhën në Vunstrof të Gjermanisë për të kundërshtuar stërvitjet. Protestuesit mbanin në duar pano me mbishkrime si “praktikoni paqe, e jo luftë”. Ata po ashtu bënë thirrje për “zgjidhje diplomatike” të pushtimit rus të Ukrainës dhe armëpushim të menjëhershëm.

Ambasadorja amerikane në Gjermani, Amy Gutmann, tha se stërvitjet do të tregojnë “pa asnjë dyshim aftësinë dhe shpejtësinë e forcës sonë aleate” dhe se këto stërvitje synojnë të dërgojnë mesazh për shtete, përfshirë Rusinë.

“Do të isha e befasuar nëse ndonjë lider botëror nuk do të kuptonte që kjo stërvitje shfaq shpirtin e aleancës, që nënkupton fuqinë e kësaj aleance, dhe këtu përfshihet edhe [presidenti rus, Vladimir] Putin”, tha ajo.

“Duke u sinkronizuar së bashku, ne shumëfishojmë forcën tonë”, shtoi ajo.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Pas nisjes së pushtimit, Finlanda dhe Suedia – dy shtete neutrale – me qëllim që të shmangin një konflikt me Moskën, kërkuan anëtarësim në NATO. Suedia ende po synon që të arrijë të bëhet anëtarja më e re e aleancës.

Sipas nenin pesë të NATO-s, çdo sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare.

 

Exit mobile version