0.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buy now

spot_img

NATO ndryshon strategjinë e mbrojtjes në Europë

NATO po harton plane të reja për të mbrojtur Europën, shkruan The Economist. Kur boksierin Mike Tyson e pyetën përpara një ndeshjeje nëse ishte i shqetësuar për planin e një kundërshtari, ai u përgjigj troç: “Të gjithë kanë një plan derisa goditen me grusht në gojë”.

Me NATO-n ka qenë e kundërta. Për 42 vjet, aleanca është përgatitur për luftë konvencionale dhe bërthamore me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij. Në vitin 1991, Pakti i Varshavës u shpërbë dhe planet u flakën tutje. Tani pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka nxjerrë në pah nevojën për strategji të reja.

Së fundmi, udhëheqësit e vendeve të NATO-s u mblodhën në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, për Samitin vjetor të NATO-s. Ata diskutuan planet e para gjithëpërfshirëse të mbrojtjes së aleancës, që nga koha e Luftës së Ftohtë.

“Ky është ndryshimi më dramatik… që nga rënia e Murit të Berlinit”, thotë Matthew Van Wagenen, gjeneral amerikan në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Europë (SHAPE). Pyetja është nëse aleatët mund të përmbushin ambiciet e tyre.

Ka shumë gjëra në lojë. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të qëndrojë në post edhe për një vit (aleatët nuk mund të pajtohen për një kandidat që do ta zëvendësonte).

Ukraina dëshiron një ftesë për t’u bashkuar me aleancën pas luftës; ndërkohë ajo pret garanci të hollësishme dhe thelbësore të ndihmës afatgjatë.

Aleatët pajtohen se Kina ka ndikim gjithnjë e më të madh në sigurinë europiane, edhe përmes thellimit të marrëdhënieve të saj me Rusinë, por ka dalë një mosmarrëveshje mbi hapjen e një zyre të NATO-s në Tokio, që e ka ndarë aleancën mbi mënyrën se si duhet të sillet ndaj Kinës.

Pavarësisht gjithë këtyre, çështja më e rëndësishme është rishikimi i planifikuar i makinerisë ushtarake të NATO-s. Arkitekti i reformave të mbrojtjes është Chris Cavoli, një gjeneral amerikan që shërben si Komandant Suprem i Aleatëve në Europë (SACEUR).

Postin e tij e ka mbajtur më parë Dwight Eisenhower, globi i të cilit qëndron ende në zyrën e gjeneralit Cavoli, në qytetin belg Mons. Gjenerali Cavoli, një folës i rrjedhshëm i rusishtes, i arsimuar në Princeton dhe Yale, konsiderohet gjerësisht si një nga oficerët më të mëdhenj të brezit të tij. Planet e tij shkojnë deri në 4000 faqe (të klasifikuara).

Pjesa thelbësore është një treshe planesh rajonale: një për veriun, që mbulon Arktikun atlantik dhe europian; një për pjesën qendrore, që përfshin Baltikun dhe Europën Qendrore deri në Alpe; dhe një plan jugor për Mesdheun dhe Detin e Zi. Ka edhe nënplane për hapësirën, operacionet kibernetike dhe forcat speciale.

Rusia është fokusi kryesor, por plani për jugun, me këmbënguljen e Turqisë, e ka ndarë vëmendjen në mënyrë të barabartë midis kërcënimit nga Rusia dhe grupeve terroriste.

Qëllimi i parë dhe më i rëndësishëm i dokumenteve është parandalimi. “Çelësi për planet e luftës së NATO-s ka qenë gjithmonë fakti se Moska e di se ka plane luftarake të NATO-s”, thotë Tim Sayle, historian i aleancës në Universitetin e Torontos.

Përveç kësaj, planet gjithashtu ofrojnë udhëzime të qarta për çdo forcë të armatosur në Europë dhe Amerikën e Veriut, se si të veprojnë nëse shpërthen konflikti.

“Si një nëntoger i ri, e dija saktësisht se në cilin qytet do të shkonte bateria ime e artilerisë”, thotë gjenerali Darryl Williams, komandanti i ushtrisë amerikane në Europë, duke reflektuar mbi zhvendosjen e tij në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1983. “Shpresojmë që së shpejti, do të kemi me këtë situatë, të njëjtën lloj qartësie si atëherë”.

Këtë vit, gjenerali Cavoli do t’i caktojë role të veçanta çdo shteti ose pjese të frontit. Batalionet dhe brigadat e dinë paraprakisht zonën për të cilën do të jenë përgjegjës, qoftë ky një ishull norvegjez, apo një pjesë e Karpateve.

Sigurisht që caktimi i detyrës nuk është e njëjta gjë si aftësia për ta kryer atë. Shpresohet se planet do të nxisin reforma dhe do të rrisin llogaridhënien.

Gjatë Luftës së Ftohtë, SHAPE kishte një staf të madh që mund të vinte në provë vazhdimisht sa të gatshme ishin forcat kombëtare për luftim. Ky ekip u pakësua, por po rritet edhe një herë: “SACEUR tani po tregohet më i rreptë ndaj vendeve anëtare”, thotë një zyrtar europian.

Në Samitin e NATO-s të vitit të kaluar në Madrid, aleatët ranë dakord se do të mbanin kolektivisht mbi 100,000 trupa të gatshëm për t’u mobilizuar në më pak se dhjetë ditë, dhe 200,000 të tjera në gatishmëri brenda një muaji, një numër shumë më i lartë se më parë. Gjithashtu, tani aleatët do t’i “deklarojnë” gjeneralit Cavoli se cilat njësi janë në dispozicion në çdo kohë, shkruan Albinfo.

Në javët e fundit, Amerika, Gjermania dhe Britania kanë praktikuar se si mund t’i përshkallëzojnë shpejt batalionet e tyre në Poloni, Lituani dhe Estoni, për të formuar brigada. Italia ndoshta së shpejti do të kryejë një provë të ngjashme në Bullgari.

Qëllimi i kësaj është të sigurohen shtetet baltike dhe t’i tregohet Rusisë se këto ushtri janë mjaft të shkathëta për të përforcuar frontin lindor të NATO-s, më shpejt se sa mund të mobilizohet Rusia për një sulm.

Gjermania, Forcat e Armatosura të së cilës kanë qenë në një gjendje të dobët gjatë dekadës së fundit, këtë muaj, premtoi se do të vendoste një brigadë të tërë në tokën lituaneze, një angazhim historik. Stërvitjet e NATO-s po bëhen gjithashtu më kërkuese: ato janë “pak a shumë prova ushtarake”, thotë një zyrtar. Prova më e madhe në dekada, me emrin Jupiter, do të kryhet më vonë këtë vit.

Planet e reja të NATO-s, jo vetëm që do të shkathtësojnë ushtritë, por gjithashtu do të përcaktojnë prioritetet për prokurimet dhe investimet. Mbrojtja kolektive e kontinentit kërkon një armatim të rëndë: avionë, tanke dhe artileri.

Por pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, për vite me radhë, aleatët po luftonin luftëra guerile në Afganistan dhe Irak, që kërkonin lloje disi të ndryshme pajisjesh: automjete të qëndrueshme ndaj minave, helikopterë transporti dhe këmbësori të lehtë.

NATO nuk vendoste asnjë disiplinë në lidhje me armët që blinin anëtarët e tij: “Ne nuk kemi pasur kërkesa të njëmendta ndaj kombeve, që janë zbatuar vërtet gjatë 30 viteve të fundit”, thotë gjenerali Van Wagenen.

Qëllimi tani është që të vendosim sërish në linjë kërkesën dhe ofertën, nëpërmjet një mekanizmi të njohur si “kërkesa e strukturës së forcës”, që në thelb është lista e gjeneralit Cavoli mbi atë çfarë nevojitet në mënyrë që strategjia e tij ushtarake të funksionojë siç është parashikuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img