Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se nuk kanë publikuar, shpërndarë apo shumëzuar dokumentet që kishin arritur në zyrën e organizatës.
Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se veprimi i vetëm i bërë nga krerët e OVL-UÇK ka qenë informimi se një person i panjohur ka lënë paketa me dokumente në hapësirat e organizatës.
Ai ka thënë se këtë e kanë bërë për hir të transparencës dhe se nuk pendohet për një gjë të tillë.
“Ne nuk jemi marrë me to, vetëm na kanë sjellë, i kemi marrë dhe i kemi qit vetëm brenda lokalit të mbyllur tonin, ekskluziv lokal i joni, një shkallë më lartë në dhomën tjetër dhe kemi treguar çka na ka ardhur. Kjo është vepra ime, kësaj i qëndroj dhe nuk i pendohem, nëse është gabim e pranoj gabimin, nëse është e dëshmueshme po more, e kam bërë, e kam bërë duke menduar dhe po mendoj që e kam bërë vetëm për hir të transparencës dhe sinqeritetit ndaj çdo kujt, bile edhe ndaj jush, nëse nuk e keni ditë me ditë çka po vjen, nëse nuk na i keni sjellë vetë me ditë çka po vjen të ne. Mendoj, për këtë është dashur të na falënderoni ju”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se nuk ishin në dijeni nëse dokumentet ishin autentike apo konfidenciale dhe ka përsëritur që edhe sot nuk kanë ndonjë konfirmim nga ZPS se ato ishin të Speciales.
“Unë kam lexuar shumë materiale që kanë shkruar topsekret prej vetë CIA-s amerikane dhe kanë qenë publike në televizion. Sepse unë nuk e kam ditë se për cilën kohë është ajo dhe nuk e kam marrë mundimin të mendoj për atë punë, se përderisa kanë arritur kanë mundur të arrijnë në zyrën tonë, de facto nuk e di pse janë sekrete. Sekretet nuk dalin dhe nuk vinë në zyrën tonë. Nuk mund të paramendoj as sot, nuk e keni vërtetuar as ju, edhe ju jeni duke e bërë sikur dëshmitari i juaj – herë janë tonat, herë nuk janë.
Ne nuk na është konfirmuar që është sekrete, që ne ta dimë se është sekrete, ndërsa çka po thua aty shkruan sekret, unë lexoj çdo ditë dhe ke lexuar edhe ti që nëpër revista qesin dokumente të mëparshme që i kanë pasur zbulimet dhe shkruan aty sekret, por e qet. Kështu e kam kuptuar, unë nuk e kam kuptuar që është sekret, mua nuk më është sqaruar që është sekret, jo mua por askujt nuk i është sqaruar. Si mund të jenë sekret diçka që arrin publikisht në zyrat tona, ju lutem kjo është marre ta dëgjojë dikush”, ka thënë ai.
Gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se kjo mund të ketë qenë e montuar nga vetë ZPS.
“Ato kanë ardhur te ne, pse sekret, me këtë logjikë unë kam prezumuar, po të kishin dashtë me qenë sekret, nëse janë të juaja, ju nuk e keni vërtetuar dhe nuk po e thoni, nëse janë të juaja meqë po e bëni tërë këtë zhurmë, mbani përgjegjësinë. Çfarë sekreti, pse na i prutë, tash po e shoh që ju paskeni pasur qejf që ne edhe me dalë me to, shyqyr që nuk e kemi bërë, jo për diçka, por vetëm për atë arsye se paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth, ju i paskeni pru, për të bërë ne këtë punë që ju po doni të na monton që e kemi bërë ne”, ka thënë Haradinaj.
Ai po përgjigjet në pyetjet e ZPS-së ku prokurori po shfaq pjesë nga video-konferencat apo intervistat që Haradinaj i ka dhënë më parë në mediat e Kosovës, lidhur me dokumentet që kishin arritur në OVL-UÇK.
Haradinaj ka thënë se OVL-UÇK nuk e ka bërë publikimin e dokumenteve, por vetëm informimin për arritjen e tyre në organizatë. Ai ka thënë se përgjegjësinë duhet ta marrin ata që e kanë bërë publikimin e tyre ku edhe ka kritikuar disa prej mediave në Kosovë për, sipas tij, provokim ndaj tyre.
Tutje, Haradinaj ka thënë se ka pritur që gjykatat dhe prokuroria e Kosovës të shkojë në organizatë dhe t’i marrë ato dokumente, andaj sipas tij i ka mbajtur kopjet.
“Unë kopjet së pari i kam mbajtur për gjykatën tonë të Kosovës, kur më është bërë një pyetje prej gazetarëve, prokurorit special, nëse vjen, a i merrni, kam thënë po, kam thënë mund të vijnë edhe ata t’i marrin. Mendimi im në fillim, të jem i sinqertë nuk ka qenë për ju hiç, ka qenë për gjykatat e mia, sepse unë e njoh vendin tim, dhe ty nuk të njoh hiç, dhe me ty po bisedoj këtu vetëm pse ti ke thënë jam e Kosovës, nuk kam nevojë me të njohur, nuk jam përgjegjës ndaj teje, jam përgjegjës ndaj vendit tim dhe nëse në shtetin tënd bëj diçka tjetër. E meqenëse ti thua jam i Kosovës dhe kjo gjykatë që po besoj tamam ka me qenë e denjë, unë për hir të gjykatës, po bisedoj me ty, se nëse nuk je i Kosovës nuk do të kisha biseduar hiç”, ka thënë ai.
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK ka thënë se vazhdon të jetë i mllefosur meqë sipas tij shteti i Kosovës nuk ka vepruar.
“Edhe sot jam i mllefosur jo pse nuk kanë ardhur m’i marrë ata, se në fund të fundit të merr kush do materialin e vet, por pse shteti im hiç nuk është shtet se nuk guxon me u ndie prej jush, se dëshmitari numër një që e ke këtu më ka thënë nuk guxojnë me ardhur t’i vijnë t’i marrin, dhe kjo është fyese për mua, fyese për shtetin tim dhe fyese për lirinë dhe fyese për pavarësinë e shtetit tim, nëse nuk guxon të vijë për t’i marrë prokuroria e vendit tim, policia e vendit tim, hetuesit e vendit tim”, ka shtuar ai.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. /KP/