-0.4 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Buy now

spot_img

Naim Murseli përfundon dëshminë, mohon versionin e dhënë në polici dhe raportimet për tradhti

Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, ka përfunduar dëshminë e tij para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, i ka thënë Gazetës Express se Murseli e ka mohuar versionin që e ka dhënë gjatë intervistimit në Polici. Sipas saj, Murseli ka mohuar edhe raportimet në media për raporte të tensionuara me bashkëshorten dhe aludimet për tradhëti.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar. Me sot është kry deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë , i cili në tërsi e ka mohuar verzionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici. Deklarata e tij ka qenë e dhënë ne detaje në spjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat te cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkeshortëve lidhur me besnikerinë e tyre i pandehuri në tërsi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, ka thënë Zhinipotoku.

Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të vitit 2023, ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e 30-vjeçares, L.A.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës i kanë thënë Gazetës Express para dy javësh se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime intensive. Në këtë fazë, deklarojnë se s’mund të ofrojnë informacione tjera për të ruajtur integritetin e hetimeve.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se ndaj rastit në fjalë janë duke u zhvilluar hetime intensive, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Laureta Ulajt, zëdhënëses së Prokurorisë.

30-vjeçarja me shtetësi suedeze u vra mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Bërrnicë të Komunës së Prishtinës. Për vrasjen e saj janë arrestuar tre persona, e cila sipas dosjeve të hetuesisë dhe prokurorisë, dyshohet se ishte inskenuar. Vrasja e saj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, me të cilin Liridona kishte dy fëmijë.

Vrasjen dyshohet se e ka kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.

Të tre këta janë arrestuar ditën kur u varros Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkohë, më 9 dhjetor është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit.

Motivi i vrasjes ende nuk dihet.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar para disa javësh se po hetohen disa pista, por ende nuk mund të bëhen publike derisa të ketë një përfundim të qartë mbi motivin e vrasjes.

“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.

Ai kishte thënë se për rastin mund të ketë edhe arrestime tjera.

“Nuk kanë përfunduar arrestimet, kjo varet nga zhvillimet tjera që mund të dalin. S’mund të paragjykoj nëse do të ketë apo s’do të ketë. Mirëpo kjo nuk është e tëra edhe pse është sqaruar pothuajse e gjitha”, ka thënë Hoxha.

I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.

“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img