Site icon PrishtinaPress

Naim Ismaili: LDK ta harron Shtimen, Isa Mustafa të shkarkohet nga Kryeministri

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismaili, ka thënë se Isa Mustafa s’u beson as deklaratave të veta se LDK do ta marrë udhëheqjen e kësaj komune. Ai ka thënë se Isa Mustafa ka dështuar t’i zgjidhë problemet kryesore prandaj duhet shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kryeministri Isa Mustafa gjatë një takimi, të shtunën, me zyrtarët e LDK’së paralajmëroi marrjen e pushtetit në Komunën që prej pasluftës udhëhiqet prej PDK’së. Tha se duke parë qytetarët e Shtimes është e sigurt se Lidhja Demokratike do të udhëheqë këtë komunë.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Kryetari i Shtimes, Naim Ismaili, i cili ka thënë se Kryetari i LDK’së s’i beson as vetes kur ka deklaruar se do ta marrin udhëheqjen në këtë komunë.

Ismaili ka thënë se Isa Mustafa po bën fushatë elektorale për të mbulua dështimet e Qeverisë për t’i zgjidhur problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

“As Kryetari i LDK’së s’i beson deklaratës së vet. As shanset më të vogla s’i ka LDK ta marrë pushtetin në Shtime”, ka thënë Ismaili, për Express, të dielën.

Kryetari i Shtimes ka thënë se bazuar në mangësitë që ka treguar Kryeministri Isa Mustafa janë pjekur kushtet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Sipas tij, Isa Mustafa ka dështuar t’i adresojë problemet kryesore prej se ka marrë pozitën më të lartë në Qeveri.

“Vlerësimi im është se zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta zhbllokonin këtë situatë”, ka thënë Ismaili.

Lideri i LDK’së ka nisur vizitat nëpër qytetet e Kosovës. Dje ishte në Malishevë e Shtime ku lëshoi akuza edhe në drejtim të Qeverive që ishin para tij. Tha se Qeveria aktuale po paguan për skandalet që janë shkaktuar më herët.

Në këtë situatë, Opozita ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Kësaj nisme i janë bashkuar edhe deputetë të PDK’së, në mesin e të cilëve, edhe Shukri Buja, Nait Hasani e Shaip Muja.

Exit mobile version