4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Naim Gjoshi : “Mora Fjalë” e kam shkruar në vitin 2000, ju tregoj si përfundoi në duart e Shkurte Fejzës

Emocionet e kishin pushtuar. Një vizitë rastësore e çoi në Prekazin legjendar të Adem Jasharit. Synimi nuk kishte qenë shkrimi apo kompozimi i një kënge. Përkundrazi… Dëshira për të pasur një folklor të pasur, kontribues i pashoq për artin shqiptar solli mes nesh këngën e njohur “Mora fjalë”.

Të gjithë mund t’ia kenë atribuar meritat Shkurte Fejzës. Por, të gjithë ata që janë pjesë e muzikës e dinë se këtë këngë e ka shkruar dhe kompozuar kompozitori i njohur Naim Gjoshi. Në një rrëfim të veçantë për Newsbomb, ai ulet këmbëkryq mes thjeshtësisë duke treguar se si lindi idea për të servirur këtë këngë kaq emocionuese për shqiptarët anë e mbanë botës.

“Nuk e kisha menduar kurrë se do të bëhej hit. Kjo këngë u shkrua vetëm prej emocioneve të mia”, rrëfen fillimisht Gjoshi që tanimë në moshën 73-vjeçare e kalon herë duke peshkuar e shpesh duke lexuar.

I madh dhe i vogël e këndojnë këngën e tij. Stadiumi “Air Albania” ushton rrokjet e shkruara nga ai. Padyshim shumë pak mund ta dijnë autorin e vërtetë që jeton në Elbasan dhe është me origjinë nga Dumreja e këtij qyteti.

– Përshëndetje Naim! Kënaqësi intervista me ju. Jeni pasuri e artit shqiptar. Na tregoni, si kanë qenë këto vitet e fundit në aspektin profesional?

Kënaqësi edhe për mua që jap këtë intervistë për ju. Këto vitet e fundit kam pasur plot aktivitete krijuese, kryesisht me këngëtarë kosovarë. Por, sigurisht nuk kam më atë vrull krijues si para 20 viteve. I lashë 73 vite moshë. Gjithësesi aktivitetin e vazhdoj.

– Duket se këngët folklorike nuk e kanë më atë bumin e dikurshëm. Tanimë, të rinjtë dëgjojnë dhe duan më shumë moderne. Mendimi juaj?
Është koha që po e kalojmë të tillë. Ndaj, edhe të rinjtë janë të prirur drejt këngës moderne. Por, kur shkojmë nëpër dasma, kënga popullore shqiptare është prezente aty dhe ajo është më e bukura. Kënga popullore shqiptare nuk harrohet lehtë dhe jeton e do të jetojë bashkë me kombin e vet. Këto modernet janë sot për nesër dhe kaq!

– Jeni një nga artistët që keni kontribuar më shumë në muzikën shqiptare prej vitesh. Ç’ka ndodhur me muzikën shqiptare?
Mendoj se është shtuar pasuria muzikore, por me tallava… Dhe si e tillë është zbehur origjinaliteti i saj. Bëhet më shumë muzikë komerciale. Kanë “humbur” orkestrat e ansambleve popullore. Rrallë po dëgjojmë muzikë live. Tani rrofshin studiot! Por, besoj se shumë shpejt do t’i kemi prezent orkestrinat e ansambleve. Ka filluar të ndihet kjo.

– Besoj se vorbullës së kënaqësisë që na dhuroi kombëtarja shqiptare nuk i keni shpëtuar as ju. Ndjesia juaj kur kuqezinjtë tanë përballen si të barabartë me përfaqësuese historike?
Shumë emocione dhe krenari na ka dhuruar Kombëtarja jonë. Futbollistët tanë kanë arritur në nivelet e futbollit europian. E si mos të ndihesh krenarë për ta?! Ndeshja me Poloninë ishte super ndeshje. Një fitore historike që do të mbahet mend gjatë dhe unë besoj shumë se do të përfaqësohemi në Europian.

– Dashur pa dashur ju keni kontribut të madh në atë atmosferë të mrekullueshme të krijuar në stadiumin tonë kombëtar. Na tregoni, si iu erdhi idea për të kompozuar këngën e mrekullueshme “Mora fjalë”?
Po, është e vërtetë. Por, e rëndësishme është që skuadra jonë përfaqësuese fitoi. Këngën “Mora fjalë” e kam shkruajtur në vitin 2000. Tekstin dhe muzikën e kam kompozuar unë. E kam bërë këtë në 3-vjetorin e rënies së Adem Jasharit.

– Kur morët lapsin të shkruanit, e kishit menduar se kjo këngë do të kishte përmasa të tilla?
Po ju tregoj shkurtimisht historinë. Në vitin 1999 kur u çlirua Kosova, unë shkova për herë të parë atje. Miqtë e mi më çuan në Prekaz te kulla e Jasharëve. Ato pamje aty më krijuan shumë emocion, sidomos kulla e bombarduar nga serbët. Më mbeti në mendje portreti i Adem Jasharit. Më kujtonte eposin e Kreshnikëve, Mujin dhe Halilin. Qysh aty më lindi idea për kangën.

– Dakord, të lindë dëshira për të shkuar dhe hedhur në letër emocionet është normale. Por, pse pikërisht për ta bërë këngë?
Këngën e kam shkruajtur me porosi të një këngëtari aty në Drenicë. Ai e realizoi kangën.

– Po si përfundoi në “duart” e Shkurte Fejzës?
Shkurte Fejza ka qenë në një koncert në Drenicë ku këndonte pikërisht këngëtari që mori kangën “Mora Fjalë”. Ajo ia ka kërkuar këngën këngëtarit kundrejt një pagesë dhe ai ia ka dhënë.

– Çfarë ndodhi më pas?
Shkurte Fejza e realizoi në një tjetër studio dhe kënga u prit shumë më mirë nga ndigjuesit.

– E kishit menduar se “Mora Fjalë” do të dëgjohej kudo që ka shqiptarë?
Asnjëherë! Mua, kurrë nuk më kishte shkuar në mendje se kjo këngë do të bëhej hit e aq më tepër që do të këndohej edhe nëpër stadiumet tona.

– Çfarë ndjesie iu përcjell që në një farë mënyre jeni aty prezent mes shqiptarëve përmes veprës suaj?
Padyshim ndihem shumë krenar që jam autori i kësaj kënge.

– Për të kaluar përtej këngës dhe duke u ndalur te eksperienca juaj. Në Shqipëri ka të rinj të talentuar në fushën e muzikës. Por, të tilla vepra si e juaja ende nuk po shohim. Cila është këshilla juaj për ta?
Po, ka kompozitorë të rinj që shkruajnë bukur dhe me frymëzim. Këshilla ime për ta, është që jo vetëm ta njohin folklorin e bukur shqiptar por edhe ta dashurojnë atë. Kur shkruajnë të bazohen edhe te motivet tona popullore. Shpesh pëlqejnë këngët e huaja që janë shumë të bukura, por që nuk kanë lidhje me këngën tonë kombëtare.

– Krahas Kombëtares dhe muzikës që është pjesë e pandarë e jetës suaj, si i kaloni ditët?
Kohën më të madhe e kaloj në studio. Herë zgjedh peshkimin e herë nëpër lokale me miq e shokë. Ju ju falënderoj shumë për intervistën. Uroj dhe jam me dëshirën e gjithë shqiptarëve që skuadra jonë Kombëtare të jetë në kampionatin europian “Gjermani 2024”. Faleminderit!

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img