Site icon PrishtinaPress

Nagavci thotë se MASHT synon që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit XXI

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një reagim të saj publik thotë se sot e shënuan me shumë aktivitete Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Siç përmend ajo, pikërisht më 20 nëntorin e një viti më parë, si Ministri e Arsimit, shpallën Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, transmeton klankosova.tv.

Derisa sot, shënuan edhe fillimin e Javës kundër braktisjes së shkollës.

”Fëmijët janë ardhmëria jonë, janë ëndrrat që aspirojmë t’i realizojmë si shoqëri.

20 nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve e shënuam me një numër të madh aktivitetesh, duke ditur rëndësinë e kujdesit që i duhet kushtuar fëmijëve.

Në takimin ndërministror për të drejtat e fëmijëve theksova se po në këtë datë, një vit më parë si Ministri e Arsimit shpallëm Politikën për Mbrojtjen e Fëmijës, një dokument i mbështetur në Konventë, në Kushtetutën tonë, në ligjet tona, si dhe në praktikat e standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijës.

Po sot, shënuam fillimin e ‘Javës kundër braktisjes së shkollës’. Me këtë rast, në nivel qendror dhe komunal po zhvillohen një varg aktivitetesh kushtuar arsimimit cilësor dhe të qëndrueshëm, për të zhvilluar potencialin e plotë të fëmijës drejt zhvillimit të gjithmbarshëm të shoqërisë”.

Tutje ministrja Nagavci shton se në konferencën e sotme, theksoi synimet e MASHT-it, që fëmijët të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit 21, transmeton klankosova.tv.

”Në konferencën e organizuar nga UNICEF dhe BE në kuadër të projektit “Mbrojtja e Fëmijëve të Cenueshëm në Kosovë” theksova se synimi ynë si MASHT është të krijojmë kushtet e duhura që fëmijët në shkolla të kenë infrastrukturë cilësore, të dinë të mbrohen nga dukuritë dhe shprehitë e rrezikshme, të kuptojnë rëndësinë e edukimit në kushtet e shekullit XXI.

Si ministre e Arsimit ju garantoj se do të vazhdojmë pa ndalur punën për të siguruar të gjitha të drejtat për çdo fëmijë në Kosovë. Falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe donatorët që në vazhdimësi na mbështesin në punën e përbashkët drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit”.

Exit mobile version