Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për grevën në arsim, tha se Qeveria ka përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut.
Megjithatë, ajo tha se sindikata vazhdojnë të kërkojë që ekzekutivi “të lëvizë edhe pak”.
“Trajtimi i dinjitetshëm i mësimdhënësve bëhet përmes Ligjit për Paga dhe ne këtë e kemi bërë. I kemi trajtuar më mirë se kurdo herë. E kemi ndarë këtë Projektligj me SBASH-un por nuk kemi marrë asnjë koment”, u shpreh Nagavci para deputetëve.
“Projektligji është në dëgjim publik dhe nuk e di se ju deputetë a e keni lexuar për të parë se si i kemi trajtuar mësimdhënësit. Kemi përmbushur mbi 90 për qind të kërkesave të SBASHK-ut, por ata e kanë çdo herë vetëm një kërkesë, thonë ‘lëvizni edhe pak’. Pra, kjo nënkupton që ato 50 eurot që i kemi ndarë thonë rritni edhe pak, 10 euro, 15 apo 20. Nuk mendoj se kjo i bën nder as dinjitetit të mësimdhënësve, as neve si Qeveri e as sindikatës”.
“Nga ana jonë ka qenë një kërkesë e vetme; mos i mbani peng fëmijët. Pra, vazhdojmë dialogun social por mos i mbyllni shkollat”.
Tutje, ministrja tha se dialogu social mes Qeverisë dhe SBASHK-ut nuk ka munguar asnjëherë./Prishtinapress/