Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas pretendimeve për ngacmime seksuale në Universitetin e Prishtinës.
Nagavci në shkrimin e saj në Facebook, ka thënë se rastet e pretenduara paraqesin shqetësim.
“Rastet e pretenduara, me të drejtë paraqesin shqetësim, po aq sa edhe janë dëshmi se në Universitetin e Prishtinës tashmë janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim ashtu si dhe kërkesat e domosdoshme që secili pjesëtar i stafit akademik dhe punonjës të tjerë të UP-së, të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë.” – ka shkruar fillimisht ajo.
Më tej, ajo ka kërkuar që Këshilli i Etikës së UP-së të trajtojë rastet pa vonesë dhe në mënyrë meritore.
“Si ministre e Arsimit pres nga Këshilli i Etikës si instancë kompetente dhe e pavarur statutare, që pa vonesë dhe në mënyrë meritore të trajtojë këtë rast dhe të gjitha pretendimet e ngjashme për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ.”
“Po ashtu, pres nga UP dhe të gjitha institucionet arsimore, që të rrisin masat e parandalimit e të avancojnë mekanizmat e trajtimit konfident, të shpejtë dhe profesional të këtyre rasteve.” – ka thënë ajo.