Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV, Arbërie Nagavci, ka thënë se çdo kritikë që iu vjen nga të tjerët, në këtë parti është e mirëseardhur, por sipas saj ka edhe të atillë që mundohen ta baltosin qëllimisht Vetëvendosjen.
‘Nagavci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Standarde të reja janë vendosur tashmë. Qytetarët janë vetëdijësuar dhe reagimi është i shpejt e shumë shpesh masiv, gjithnjë e më shumë aktivizëm politik e përfshirje”.
“Çdo kritikë që na vjen nga aktivistët, bashkëpunëtorët, përkrahësit, votuesit e secili qytetarë që sheh shpresën për ndryshim tek LV! është e mirëseardhur dhe besoj shumë që na ndihmon për të mos bërë gabime rrugës. Kjo tregon se qytetarët kanë besim tek ne. E ne kemi obligim më e pakta të japim maksimumin” ka shkruar Nagavci.
Postimi i plotë i Nagavcit:
“Në Kosovë ka ndodhur ndryshimi. Kthim prapa s’ka.
Standarde të reja janë vendosur tashmë. Qytetarët janë vetëdijësuar dhe reagimi është i shpejt e shumë shpesh masiv, gjithnjë e më shumë aktivizëm politik e përfshirje.
Në LV! jemi të vetëdijshëm për pritshmëritë e qytetarëve ndaj nesh, kjo vetëm se na bën më të vëmendshëm e të kujdesshëm. Na bën të përgjegjshëm që nga ne pritet të jemi në nivelin më të lartë të detyrës, efikas, korrekt e profesionist. Sepse përkrahja është beteja që ne duhet ta fitojmë, beteja për të qenë në nivelin më të lartë të etikës, profesionalizmit, legjimitetit e vlerave morale.
Çdo kritikë që na vjen nga aktivistët, bashkëpunëtorët, përkrahësit, votuesit e secili qytetarë që sheh shpresën për ndryshim tek LV! është e mirëseardhur dhe besoj shumë që na ndihmon për të mos bërë gabime rrugës. Kjo tregon se qytetarët kanë besim tek ne. E ne kemi obligim më e pakta të japim maksimumin.
Ka dhe të tillë që qëllimshëm mundohen të baltosin LV! e të propagandojnë me qëllim që të njejtësojnë gjithçka e gjithkënd. E të tillët, s’do të kenë sukses. Nuk jemi të gjithë të njejtë.
Kosova, fatkeqësisht është një nga vendet më të izoluara, korruptuar, vjedhura e keqpërdorurura. E kjo nuk ka ndodhur as rastësisht e as vetvetiu.
Andaj nevojitet reagim i shpejtë, auditim i brendshëm në ndërmarrje nga bordet e përkohshme, vlerësim i performancës, ndërprerje e kontratave të dëmshme, adresim i secilës shkelje. Kjo nuk u pëlqen të gjithëve, kjo ngjall shumë reagime e propagandë nga ata që do të dalin të zbuluar pasi tashmë u është hequr mundësia për të vazhduar keqpërdorimin
Sa më e madhe përkrahja për LV! aq më e madhe dhe kritika në të gjitha format e saj. Atë konstruktiven do ta adresojmë përsëri bashkë, e dekonstruktiven e dekonspirojmë shpejtë.
Prandaj, me vëmendje e kujdes, me konstruktivitet e pa u sprapsur do të fitojmë betejat një nga një. Bashkë”, ka shkruar Nagavci.
Së fundmi, Qeveria në detyrë ka vendosur të emërojë bordet e përkohshme të drejtorëve në tri kompani publike (Postën e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës – Infrakos dhe KRU “Prishtina”), në të cilat fillimisht ishin shkarkuar bordet e mëparshme . Për ketë vendim, Qeveria Kurti është kritikuar nga partitë politike dhe shoqëria civile.