Nagavci thotë se të gjitha studimet tregojnë që pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha.
“Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distance”, tha ajo.
Ministrja e Arsimit thotë se është edhe rekomandim i OBSH-së që shkollat të jenë të hapura.
“Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi”.
Nagavci thotë se për të mos na u përsëritur situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ.