Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e sheh të domosdoshme miratimin e ri të Statutit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, pasi është nevojë emergjente për përmirësimin e performancës së arsimit të lartë.
Nagavci raportoi sot para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport, ku u shqyrtua vendimi i Qeverisë për miratimin e Statutit të ri të UP-së.
Ajo i ka ftuar anëtarët e Komisionit që ta miratojnë sa më parë këtë statut edhe të hapin, sipas saj, rrugë për ndryshime të rëndësishme.
“Universiteti i Prishtinës ka themeluar grupin punues në bazë të legjislacionit në fuqi që të përgatisë draftin e statutin të ri. I njëjti është miratuar në Senat me 31 korrik të vitit të kaluar, pastaj pas miratimit nga Këshilli Drejtues është përcjellë në ministri ku ne e kemi miratuar të njëjtin pa asnjë ndërhyrje duke respektuar autonominë e plotë të Universitetit, duke pasur parasysh faktin që në grupin punues ka pasur profesionistë dhe kanë marrë praktikat e mira të cilat i kanë shikuar që të jenë edhe për kontekstin tonë. Përtej këtij fakti duke respektuar plotësisht autonominë akademike të Universitetit të Prishtinës, ne si ministri e kemi miratuar statutin në shtator të vitit të kaluar në të njëjtin draft sikurse e kanë sjellë nga Universiteti dhe të njëjtin e kemi dërguar në qeveri dhe po ashtu edhe nga ana e qeverisë është miratuar ashtu si e kanë finalizuar Universiteti i Prishtinës”, tha Nagavci.
“Me aq sa ka kam parë unë personalisht dhe me diskutimet që i kemi pasur në lidhje me statutin jemi shumë të lumtur që ky statut sjellë një mori vendimesh e reformash që do të ndikojnë direkt në përmirësimin dhe cilësinë e punës së Universitetit të Prishtinës dhe besoj pas kësaj jemi duke pritur të filloj një proces i statuteve tjera të universiteteve publike. Besoj që kjo sjell përmirësimin e punës në arsimin e lartë dhe një performancë më të mirë. Me aq sa jam në njohuri është marrë për bazë dhe është shqyrtuar i gjithë legjislacioni që është në fuqi. Duke parasysh rëndësinë e këtij statuti duke pasur parasysh nevojën emergjente për intervenime ne si ministri si qeveri si kuvend duhet të bëjmë përmirësime të perfomancës në arsimin e lartë. Por ju ftoj, ju lus ta miratoni sa më parë këtë statut edhe të hapni rrugë për ndryshime tejet të rëndësishme”, ka thënë Nagavci.
Rektori Qerim Qerimi, në këtë komision deklaroi se statuti i fundit ai që është në fuqi i universitetit është miratuar në vitin 2012,
Qerimi tha se janë marrë statutet e universiteteve evropiane që kanë shërbyer në radhë të parë si model dhe ekspertët janë përqendruar kryesisht në identifikimin e ndryshimeve dhe plotësimeve që kanë pësuar statutet e këtyre universiteteve.
“E para ka pasur një konsensus të gjerë që statuti ka nevojë të ndryshohet. Ky është një indikacion, sigurisht sfidë e institucionit. Sikurse e theksoi ministrja, statuti i fundit ai që është në fuqi i universitetit është miratuar në vitin 2012, ka 12 vite që kur është miratuar statuti fundit. Statuti si akti qendror dhe çështjet e funksionimit, organizimit duhet të ndryshohet dhe plotësohet. Në kuptimin e procesit ne kemi operuar mbi këtë filozofi, e para njëherë kemi angazhuar disa ekspertë kryesisht profesorë. Staf i ynë akademik nga fusha të ndryshme që kanë bërë një analizë krahasimtare të statuteve tjera të shteteve tjera evropiane dhe vërtetë metoda udhëheqëse këtu ka qenë kryesisht si pikënisje”, tha ai.
“Ne kemi marrë statutet e universiteteve evropiane që kanë shërbyer në radhë të parë si model dhe ekspertët tanë janë përqendruar kryesisht në identifikimin e ndryshimeve dhe plotësimeve që kanë pësuar statutet e këtyre universiteteve në mënyrë që edhe ne të bëjmë përpjeke dhe të përshtatim standardin tonë që kanë lëvizur qartazi me standardet që kanë pësuar universitetet që në radhë të parë kemi ndërtuar statutet paraprake. Këshilli Drejtues me kompetencën që e ka sipas Ligjit për arsimin e lartë të statutit ka ngritur një grup pune gjithëpërfshirës me përfaqësues nga radhët Këshillit Drejtues, Senatit akademik të dekanëve në vend. Pastaj me mbështetjen e një eksperteje të jashtme ndërkombëtare që po ashtu bërë një analizë me numër të statuseve të jashtme”, ka thënë i pari i UP-së.
Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka thënë se subjekti i tij janë kundër ndërrimit të emrit të universitetit Hasan Prishtina.
“PDK do të jetë kundër ndërrimit të emrit. Sa i përket çështjeve tjetra do të jemi sa më shumë konstruktiv t’ i realizojmë të finalizojmë. Në emër të PDK-së do të jemi kundër ndërrimit të emrit. Po të kishte mundësi me të mirë t’ ia ndërrojmë emrin e universitetit në veri edhe me na hek barrën edhe neve”, tha Kastrati.
Ndërsa deputeti nga Enis Krevan deputeti nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, tha se kanë vullnetin dhe dëshirojnë ta përkrahin këtë statut por me disa korrigjime.
“Ju jeni ata të cilët keni përpunuar këtë draft statut. Mendoj që duhet me u mbrojt kërkesat e komunitetit shqiptar shumicë. Ne natyrisht që kemi vullnetin dhe dëshirojmë ta përkrahim por me disa korrigjime. Edhe brenda statutit flitet për mundësi të barabarta”, ka thënë Kervan.
Deputetja, Albena Rashitaj, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se edhe ajo është e pajtimit për ta ngritur cilësinë e arsimit.
“Ka pasur probleme të herë pas hershme. Këto ndryshime që janë vendosur në këtë statut të ri do të doja që t’ ju them përtej pjesës asaj që shkruan në statut, është e rëndësishme të reflektojmë edhe në respekt të mësimdhënies ju jeni vetë jurist dhe me vjen shumë keq që brenda Këshillit Etik të Prishtinës kemi nevojë të analizojmë a po punohet si duhet. Sepse një mësimdhënësi në qoftë se i kërkohet të avancojë profesionalisht që jam edhe unë e pajtimit për ta ngritur cilësinë e arsimit. Por, a po i krijoni mundësi të ndihen të sigurt në vendin e punës? Konsideroj përtej kësaj që ne duhet ta bëjmë. Mos harroni që edhe studentët duhet të ndihen të sigurt edhe mësimdhënësit dhe ju mund ta bëni duke vepruar në bazë të rregullores dhe përgjegjësive që ka Universiteti i Prishtinës”, ka thënë Reshitaj.
Aty foli edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vlora Dumoshi.
Ajo ka kërkuar nga rektori që t’ia japë versionin e tij sepse sipas saj, janë edhe universitetet tjera që kanë emra të figurave të mëdha kombëtare.
“Rektor, unë për vete nuk dëgjova ndonjë ndryshim konkret me fjalët hyrës që ju patët. Ka vërejtje që janë bartë në këtë status. Statutin e kaluar është kërkuar një punim tash po kërkohen dy punime ky është ndryshim kualitativ nuk ndryshim cilësor pos që krahasuar me statutet moralisht e kam të nevojshme. Ne si deputet pranojmë shumë email-a kërkesa, ankesa të ndryshme. Neve na kanë ardhur email-a ku me këmbëngulje neni 2 është heqja e emrit Hasan Prishtina nga Universiteti i Prishtinës ku 3 mijë studentë e kanë nënshkruar një peticion. 3 mijëstudentë është armatë e madhe. Sigurisht unë pres që ju të më jepni versionin e tuaj të këtij propozimi sepse e keni marrë këtë draft në qoftë se e shohim kemi Universitetin e Pejës, Haxhi Zeka, Isa Boletini Mitrovicë, e kemi Fehmi Agani, Kadri Zekën. Krejt këto figura janë shumë të mëdha kombëtare. Me ketë vendim me këtë propozim a keni menduar edhe për këto universitetet tjera. Me ja hek emrat është shumë e dhimbshme kur i hekim”, tha Dumoshi.
Rektori Qerimi ka thënë po ashtu se sa i përket çështjes së plagjiaturës janë kujdesur që statuti të reflektojë përmbajte korrekte.
“Sa i përket çështjes së plagjiaturës ne jemi kujdesur që statuti të reflektojë përmbajte korrekte të përputhshme me përcaktimet që kanë universitetet në kombëtare që ne aspirojmë dhe në këtë drejtim e pranoj të drejtën e deputetes profesoreshë që është kaq e rëndësishme. Ne që të kujdesimi në këto dispozita të zbatohen ndonjëherë mund të ketë nevojë për më shumë kohë sidomos kur ka një praktikë traditë të tillë institucionale ne kemi kërkuar dhe përfituar nga qeveria amerikane një këshilltar i cili do të mbështesë Këshillin e Etikës. Ai do të vijë më 17 maj do qëndrojë deri në fund të gushtit dhe paguhet nga qeveria amerikane. Ideja është pikërisht kjo, ai të na mbështesë ne që të rishikojmë tërësinë figurative që kemi në fuqi. Në formë të përmbylljes ky ka qenë një gjykim i lirë për sa i përket çështjes së emrit dhe e pakta në terma formal nuk ka pasur asnjë votë kundër as për këtë as për pjesë të tjera”, ka thënë Qerimi.