Site icon PrishtinaPress

“Na mbetet hatri në komunitetin ndërkombëtar”, familjarë të të zhdukurve në Kosovë, të zhgënjyer

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, familjarë të të zhdukurve të luftës në Kosovë, presin që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Serbisë për gjetjen e familjarëve të tyre.

Pas homazhe te Memoriali për të Pagjeturit, familjarët janë ankuar se përveç Serbisë, as komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë aq sa duhet në këtë drejtim.

Madje, Andin Hoti, djali i veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, si dhe kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, u shpreh se i mbetet hatri në faktorin ndërkombëtar “sepse ata do duhej të ishin ata që ia kushtëzojnë Serbinë që ajo të përgjigjej për fatin e këtyre personave”.

Ai shtoi se Kosova nuk duhet ta ndalë presionin, së pari ndaj Serbisë, dhe së dyti, ndaj komunitetit ndërkombëtar, deri në gjetjen e familjarëve të tyre.

“Ajo çka ne mundemi dhe kemi fuqi me e bë, sepse e dimë se çka ka ndodhur në vitet ’98-99 dhe ne nuk jemi fajtorë për zhdukjen e këtyre personave, është që mos ta ndalim presionin ndaj; e para Serbisë, dhe ndaj faktorit ndërkombëtar që ata të shfrytëzojnë fuqinë e tyre ndaj Serbisë në mënyrë që ne të marrim atë që po kërkojmë”.

“Ne po i kërkojmë vetëm familjarët tanë të cilët na i kanë marrë dhunshëm, na i kanë zhdukur me forcë në vitin 98-99”.

“Paraprakisht presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari Konjufca e thanë se Serbia është nënshkruese e konventës ndërkombëtare për personat e zhdukur me forcë dhe ajo në një formë ka pranuar që të bashkëpunojë në lidhje me fatin e këtyre personave e që deri më sot nuk ka treguar rezultate dhe nuk po bashkëpunon”

“Asnjë hap deri më sot nuk e ka marrë Serbia, por ne e njohim Serbinë dhe e dimë se Serbia nuk ka qenë e gatshme të marrë hapa, por ne vazhdojmë që të kërkojmë dhe vazhdojmë”.

“Tani po flas si familjar, na mbetet hatri pak edhe tek faktori ndërkombëtar sepse ata do duhej të ishin ata që ia kushtëzojnë Serbinë që ajo të përgjigjej për fatin e këtyre personave”, është shprehur Hoti.

Hoti më tutje tha se është e pamundur që si komision të ndiqen penalisht kriminelët përgjegjës dhe se ata që mund t’i bëjnë presion Serbisë nuk po i bëjnë, duke iu referuar kështu komunitetit ndërkombëtar.

“Unë si komision qeveritar me dëshirën më të madhe do të doja që të ndiqja penalisht kriminelët, ata që i kanë bërë këto krime, por nuk është në mandatin tim, nuk është as në mandatin e shoqatave. Në mandatin tonë është që vetëm t’i gjejmë këta persona dhe tua dorëzojmë familjarëve, tua lehtësojmë dhimbjen, dhe as për këtë që është një çështje shumë humane, Serbia nuk është e gatshme të bashkëpunojë dhe presioni fatkeqësisht prej atyre që munden po mungon”, shtoi Hoti, përcjell EO.

Ndërkaq, motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kasumi, tha se ndihet shumë e zhgënjyer dhe se nuk ka lënë asnjë rrugëtim pa marrë që të kërkojë se ku ndodhet vëllai i saj, por që deri më tani ka hasur vetëm në vesh të shurdhër.

Ajo për EO u shpreh se çështja e vëllait të saj ka qenë e ndërkombëtarizuar edhe para luftës dhe se faktori ndërkombëtar e ka njohur shumë mirë, siç e ka njohur ai shqiptar e serb, por që deri më tani nuk është marrë seriozisht çështja e të zhdukurve.

“Që nga fillimi jam e zhgënjyer shumë, përshkak se unë dhe bashkëshorti im nuk kemi lënë rrugëtim pa u ndalur që të kërkojmë se ku ndodhet vëllai im, por deri më tani kemi hasur në vesh të shurdhër, nuk kemi mundur të arrijmë asgjë.

“Nuk mund të pajtohemi me realitetin ngase çështja e vëllait tim ka qenë e ndërkombëtarizuar dhe para luftës, dhe sa ishte ai në burg, dhe faktori ndërkombëtar, shqiptar dhe serb e dinë mirë këtë personalitet por deri më këtu nuk është marrë seriozisht cështja e të zhdukurve për të bërë presion mbi Serbinë dhe shtet me shtet të mirren vesh mes vete dhe të zbulojnë të vërtetën se ku ndodhen dhe çfarë ka ndodhur me ta”.

Edhe Bajram Qerkini tha se bashkësia ndërkombëtare është ajo e cila duhet të ndihmojë në gjetjen e këtyre personave.

Ai shtoi se nuk di ndonjë vend ku janë gjetur personat e pagjetur pa i përdorur imazhet satelitore. Tutje, shtroi pyetjen se pse duhet Vjosa Osmani t’i tregojë se ç’flitet në Bled. Ai tha se do që ajo t’i tregojë konkretisht se çka ka për detyrë që të bëjë për personat e pagjetur.

“Flitet prej 10 gushtit, prej 27 prillit, flitet në çdo cep të Kosovës ku ka përmendore, të cilat lëvdatën ua hedhin vetes se Serbia ka faj. Nuk ka nxënës në shkollë fillore që nuk e di se Serbia ka faj. Për atë e kemi zgjedhur problemin politik e të largohet politika nga pjesa humane, kemi të drejtë me konventa kombëtare të dimë për persona të pagjetur, kush paska faj, kush nuk po e shtyen çështjen sa duhet”.

“Pse duhet të më tregojë mua Vjosa Osmani për politikë, se çka flitet në Bled apo kudo në bashkësinë evropiane. Unë dua që ajo të më tregojë konkretisht se çka ajo ka për detyrë të bëjë për personat e pagjetur. Komisioni qeveritar është formuar për të na ndihmuar për zbardhjen e fatit të pagjeturve, jo që të na mbajë deklarata, deklaratat e tyre janë mbetur në letër. Aneksi i cili është pritur shumë prej Ohrit ka shkuar në Bruksel. A thua nuk dinë? Dinë edhe Beogradi edhe Prishtina. A thua nuk munden? Nuk është e vërtetë që nuk munden, sepse i kanë ata akterë ndërkombëtarë që na kanë liruar dhe ata duhet të na i gjejnë personat e pagjetur”.

“Bashkësia Ndërkombëtare e ka për detyrë që t’i marrë të gjitha shtetet e QUINT-it sepse asnjë varr masiv, pa imazhe satelitore nuk kemi mundur t’i gjejmë personat”, u shpreh Bajram Qerkini nga Shoqata e Personave të Pagjetur.

E Nysrete Kumnova, nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, tha se të pagjeturit nuk janë të tillë, sepse dihet kush i ka marrë; dora e armikut. Ajo tha se gjashtë veta janë marrë nga familja e saj por dhimbjen më të madhe e ka për mungesën e djalit e se të gjithë këta persona i kanë rrëmbyer nëpër shtëpitë e veta.

“Sot kam ardhur në ditën e shënimit për personat e pagjetur, iu thuhet të pagjetur se ata janë të gjetur, sepse ata i ka marrë dora e kriminelit, e shkaut, i kanë rrëmbyer të gjithë nëpër shtëpi, dhe unë sot e atë ditë, djalin e vetëm, Albionin, akoma nuk di për fatin e tij nuk ma kanë kthyer. I gjithë grupi, gjashtë vetë janë marrë në familjen time, por vetëm pse kam qenë një nënë, më e zorshmja është të ma mbajnë peng sot e 25 vite peng djalin. Ne po duhet të mbesim rrugëve sepse derisa të dërgojmë drejtësinë aty ku e ka vendin”, u shpreh Kumnova për EO.

Exit mobile version