Site icon PrishtinaPress

Mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit u dogjën nga zjarri në IML

Nga zjarri nuk shpëtoi thuajse asgjë. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku zjarri mori një pjesë të objektit, po ruhej edhe historia e rëndësishme e Kosovës.

Ngjitur me zyrën e mjeko-ligjorit Valon Hyseni, të ruajtura kanë qenë edhe mustaqet e Adem Jasharit dhe pjesë të trupit të Isa Boletinit, që i shkrumboi zjarri.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore nuk ka dhënë detaje të reja, por vetëm e ka konfirmuar se po vazhdojnë hetimet.

“Ju njoftojmë se aktualisht ndaj këtij rasti po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore në koordinim me institucionet relevante, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Ndërsa Albulena Haxhiu, ministria të cilën e udhëheq ka dështuar të lidhë kontratë për aparatet kundër zjarrit, tha se dyshimet e para janë te sistemi elektrik.

“Sipas informacioneve të para nga ata dhe ato i kemi siguruar dje në orët e vona të mbrëmjes, ka pasur një defekt në sistemin elektrik, mirëpo ka diskutime për brenda vet ekspertëve dhe stafit të mjekësisë ligjore që mund të jetë shkaku prej kohës që është ndërtuar ai objekt”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Instituti i Mjekësisë Ligjore ku mbahen prova të rëndësishme për vdekjet e dyshimta në Kosovë, u përfshi nga zjarri dy herë brenda këtij viti dhe si shkaqe është përmendur rrjeti elektrik. Teksa hetimet për këto incidente të zjarrit po vazhdojnë, është konfirmuar se Ministria e Drejtësisë ka dështuar të lidhë kontratë për mirëmbajtjen e aparateve kundër zjarrit në këtë institucion.

Exit mobile version