Ish-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Lumir Abdixhiku veproi mençur kur nuk kandidoi për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale që u mbajtën në fund të vitit të kaluar.
LDK kandidoi me Përparim Ramën dhe fitoi kryeqytetin, ndërsa Abdixhiku si kryetar aktual i LDK-së ka mbajtur postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës.
“Ndoshta ishte zgjedhje mirë e menduar nga Abdixhiku që të mos kandidojë vetë, pasi ka mjaft punë sa i përket partisë. Partia është fushë e pakufi e kërkesave e organizimit të punës që duhet të ndodhë aty brenda. Por ka pasur edhe tjerë. Por në momentin që është vendosur, ka vendosur LDK-ja për Ramën, tërësisht e kam pranuar atë”, ka thënë Mustafa në KTV.
E sa i përket akuzave që ka pasur në të kaluarën ndaj tij për bashkëpunim me PDK-në, ai i ka quajtur absurde.