Site icon PrishtinaPress

Mustafa tallet me VV-në: U “martua” me PDK-në për të mbetur në pushtet, jo veç për letra

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pasur kritika për koalicionet politike të realizuara së fundmi në nivel lokal, ndonëse iu ka uruar punë të mbarë të gjitha bashkëpunimeve politike të realizuara së fundmi.

Mustafa, në një prononcim për lajmi.net, koalicionet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për të cilat partia në pushtet thoshte se kishte, siç i quante ajo, vija të kuqe, po i quan “martesë për të mbetur në pushtet”.

“Koalicionet shprehin realitetin tonë por edhe qesin në pah tërbimin e pashembullt politik që ushtrohej në të kaluarën nga VV dhe disa figurave “Guxo” ndaj atyre që bënin koalicion me PDK-në. Tani ata po “martohen” me PDK-në për të mbetur në pushtet. Jo vetëm për letra!”, deklaroi ish-kreu i LDK-së për lajmi.net.

“Dikush mund të thotë, kjo është tjetër PDK; nuk është Thaçi, është tjetërkush. E unë ju them se kjo është parti e themeluar nga z. Thaçi dhe se VV me shumë dëshirë dhe gjentelesë po bënë koalicion me partinë e Hashim Thaçit. Dashuria kurorëzohet me martesë….Dhe këtu asgjë s’ka të keqe. Edhe LDK po ashtu”, potencoi më tej ish-kryeministri.

Frazën “martesë”, duke konsistuar në koalicione që ndihmojnë qëndrimin në pushtet, e ka përdorur edhe për partinë që e udhëhoqi vetë ai, pa përmendur detaje.

Gjatë ditës u raportua se LVV dhe PDK kanë arritur koalicion qeverisës në Gjilan. PDK-së do t’i takojë pozita e nënkryetarit të komunës dhe katër drejtori, ndërkaq partia fituese e zgjedhjeve do të udhëheq me drejtoritë të tjera.

Koalicion LVV-ja arriti me PDK-në edhe në Podujevë. Koalicionin nga VV-ja u arsyetua duke thënë se ishte e vetmja mënyrë që të konstituohej Kuvendi Komunal.

Në anën tjetër, është raportuar për një lloj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për udhëheqjen e kryeqytetit. Raportimet erdhën pasi asamblistët e PDK-së ia votuan LDK-së tashmë kryesuesin e Asamblesë së Prishtinës, Fehmi Kupinën.

Përfaqësues të LVV-së kanë qenë kategorikisht kundër marrëveshjeve politike me PDK-në në të kaluarën.

Exit mobile version